Nga KIÇO BLUSHI
A mund të ketë demokraci funksionale me stabilitet të qëndrueshëm, por me standarde të cungëta, të pamjaftueshme, sadopak të njëmendta demokratike? Dhe anasjelltas? Cili lipset të jetë primar, d.m.th. më përcaktues për një shoqëri: sigurimi i standardeve demokratike apo stabiliteti? Përse vazhdojmë të krahasojmë standardet e sotme me ato të së shkuarës, të qeverive pararendëse, (si dikur me 39'-ën?!) dhe jo me standardet e Evropës? Mos e ka fajin krahasimi i gabuar i standardeve përse votojmë dhe përse zgjedhim përherë të keqen më të vogël? Nga frika e më të madhes? Dhe për të hyrë më në përditshmëri: Përse po shkon Rama në Beograd, pas aq dilemave dhe ndërdyshjeve: për të ndihmuar e forcuar stabilitetin në rajon pas ngjarjeve me dronin, apo për të dëshmuar se standardet demokratike mund të gjallojnë edhe në Ballkan, mes shqiptarëve dhe serbëve, si më të ndërkryerit aktualisht?
Këto pyetje, prej mungesës së qartësisë të krerëve të rinj që erdhën në pushtet pas përmbysjes së monizmit (të cilët nuk ishin as të përgatitur dhe as të aftë për të ndryshuar në themel sistemin), nuk i dhanë e as nuk u përpoqën të gjenin zgjidhje afatshkurtra, optimiste dhe shpresëmira për dilemat e mësipërme të lëna nga trashëgimia historike. Ndaj është krijuar ky ngërç e kjo prapambetje e tejzgjatur (që ndryshe quhet tranzicion) jo vetëm në shoqërinë tonë, por pothuajse në shumicën e vendeve të Lindjes, të cilat e braktisën, më parë se ne, para 90-ës, me aq entuziazëm, komunizmin.
Bojkoti në Shqipëri si dhe kriza në Kosovë, ku partitë po mbajnë peng shoqërinë për muaj të tërë, teksa shtetin po e lenë pa qeveri e pa institucione prej ambicies se kush do të bëhet kryeministër, edhe pse aty hë për hë ka stabilitet, tregon se sa të mangëta e sa të dobëta janë standardet. E jo vetëm kaq, por edhe sa të papërgjegjshëm e të pandërgjegjshëm janë krerët tanë për domosdonë e respektimit dhe zbatimit të standardeve.
***
Pas shembjes së Murit, partitë e reja dhe krerët e tyre, por edhe kancelaritë e Perëndimit nuk kishin, e, me sa duket, ende nuk e kanë një qëllim, një platformë, apo një strategji të unifikuar për demokratizimin rrënjësor të shoqërive të traumatizuara nga diktaturat. Ndoshta ngaqë Muri ra më parë e më lehtë nga ç'ishte parashikuar.
Është e pajustifikueshme që edhe pas një çerek shekulli qytetarët e cilësuar politikisht si "lindorë" e "pa kulturë të mjaftueshme demokratike", -të cilët shpresuan se do të përfitonin e do të gëzonin shpejt e kollaj standardet, jo vetëm ato ekonomike, të mirëqenies, të reklamave që patën ndjekur me aq uri nëpër televizione, po edhe të të drejtave të njeriut, që gëzonte Perëndimi, – ta shohin ende veten me gisht në gojë, thuajse po aq larg standardeve, sa ç'ishin në fillimvitet '90-të.
Thellimi i krizës morale, papunësia, çmimet e papërballueshme, shtimi i konflikteve sociale, i vrasjeve dhe abuzimeve, shfaqjet e tensioneve etnike, përpos varfërisë, e ilustron përbukuri sa më sipër. Niveli në rritje i euroskepticizmit, në shumë nga këto vende, si në Maqedoni e Serbi, teksa e kërkojnë integrimin në BE dhe futjen në NATO, po i bëjnë karshillëk të hapur BE-së dhe SHBA-ve, duke flirtuar me Rusinë, gjë që provon jo vetëm zhgënjimin, por edhe mungesën e shpresës. Mbyllja e derës së BE-së është provuar që e shton mundësinë e rrënimit të mëtutejmë të standardeve. Ka jo pak krerë ballkanikë që me fjalë e duan, por në fakt e sabotojnë integrimin, se në një shoqëri me standarde atyre ju shteret fuqia, arbitrariteti, d.m.th. ju rrezikohet qëndrimi i gjatë në pushtet. Shembull për këtë është Putini në Rusi dhe Gruevski në Maqedoni, pa harruar ish-kryeministrin dhe ish- presidentin tonë, Sali Berishën.
Mungesa e standardeve është favori më i madh për autokratët ballkanikë. Falë mangësisë së standardeve mund të vidhen votat, mund të përvetësohet pasuria kombëtare, mund të krijohen idhuj pa krena, mund të pasurohet klani, familja e fisi, mund të mos ndëshkohen abuzuesit e pushtetit, mund të mbeten gjatë në pushtet, aq sa, si është provuar fillimisht në Amerikën Latine e tash edhe në Lindjen e Mesme, vjen një ditë që bëhet e pamundur, veçse me luftë dhe bombardime, që të shkulen nga pushteti këta neodiktatorë populistë e hairsëzë, të cilët flasin në emër të demokracisë, më shumë se në emër të Krishtit a Muhamedit.
Për fat të keq ka pasur jo pak shembuj tragjikë kur janë sponsorizuar, për hir të stabilitetit, të tillë krerë, të cilët i kanë kushtuar popujve përkatës e më pas dhe komunitetit ndërkombëtar tejet shtrenjtë.
***
I ashtuquajturi proces i integrimit u ofrua dhe më pas u sendërtua si një detyrë shtëpie për nxënësit e pabindur e "pa kulturë demokratike", jo dhe aq për të rritur e ngjizur standardet (edhe pse janë bërë jo pak investime financiare për workshope, seminare dhe OJF-ra kësodore!), se sa ka shërbyer e po shërben më së shumti për të siguruar e për të garantuar stabilitetin në rajon, nëpërmjet tundimit me anë të "karotës" së ofruar nga BE-ja, se sa për t'i demokratizuar këto shoqëri nëpërmjet kultivimit të standardeve. Kjo lloj asistence e patronati në fakt i ka toleruar autokratët, shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut, mungesën e shtetit ligjor, rritjen e kriminalitetit dhe korrupsionit, mjaft që "tenxherja me presion" të mos shpërthejë e të mos shkaktojë destabilitet në rajon, si një tjetër kokëçarje plus për vendet "e lodhura" të BE-së. Kështu, për hir të stabilitetit në rajon janë mbyllur sytë për nivelin e standardeve kryesisht në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ngjarja në stadiumin e Beogradit shërbeu më tepër për të ngjallur frikën e destabilitetit në rajon, se sa për mungesën e standardeve demokratike në Serbi.
Dihet që diktaturat e garantojnë me forcë e me dhunë stabilitetin, por nuk kanë standarde demokratike; kjo i bën këto sisteme të padurueshëm e të paqëndrueshëm, aq sa herët a vonë do të përmbysen, si dhe ka ndodhur. Por nëse diktaturat nuk mund të mbijetojnë e të ecin gjatë vetëm me një këmbë, – me stabilitet, duke siguruar rend e qetësi…-, sado të egra e nën një dorë të fortë qofshin, normaliteti në demokraci e kërkon që standardet dhe stabiliteti të jenë në baraspeshë, të ecin paralel, përndryshe demokracia bëhet e cungët, e deformuar, deledash, shpresëhumbur, e pasigurt.
Mjerisht, tek ne ka ndodhur edhe më zi: ndërkombëtarët kanë këmbëngulur më shumë për stabilitetin, se sa për standardet. Për këtë arsye u la pa u ndëshkuar Berisha në vitin 1997, që të mos rrezikohej stabiliteti, qoftë edhe me "200 mamurrsat" e tij. Mjaft që e la pushtetin, sepse, me gjasë, sipas standardit evropian të të bërit politikë, Berisha nuk do të mund të rikthehej kurrë në pushtet pas "rebelimit të armatosur" popullor…Por Vranickët dhe Prodët asokohe nuk e dinin që po e linin litarin jashtë varrit, sipas një adeti (apo mallkimi?) të lashtë ballkanik e folklorik. Si rezultat ne ende vuajmë mungesën e standardeve, të drejtësisë dhe të barazisë para ligjit.
Në këtë çerek shekulli ne shqiptarët kemi provuar jo vetëm ç'do të thotë të mos i kapësh standardet e ëndërruara të Evropës, por të të rrezikohet madje dhe stabiliteti, si në vitet '97-'98, teksa ramë në anarki dhe për pak edhe në luftë civile, po të mos kishte ndërhyrë Evropa për të vendosur stabilitetin me trupa ushtarake.
E tash, më 2014, pas 17 vitesh, pandëshkueshmëria e krerëve, sado zullume e prapësira të kenë bërë, e ka shfytyruar e zhvleftësuar rëndësinë jetike të standardit demokratik deri në atë shkallë sa qytetarët kanë filluar ta humbasin besimin se "ky vend mund të bëhet"…
Sot për sot ne mund të themi se kemi një farë stabiliteti, ndërsa sa për standardet vazhdojmë të jemi në pikë të hallit, aq sa mbetëm më të fundit në procesin e integrimit. E pra, kush e ka fajin që në shoqërinë tonë janë aq të dobëta e të mangëta standardet?
Reformat, apo n' daç aksionet e fundit të qeverisë synojnë të vendosin disa standarde minimale, të paktën për ndërtimet pa leje, për respektimin e semaforëve dhe vijave të bardha, për pagesën e energjisë elektrike, etj. Por po të vësh re si po reagon opozita ndaj tyre, që kërkon përditë revolta, me shpresë se kësisoj do të vijë shpejt në pushtet, mund të kuptohet lehtë se sa e vështirë është rivendosja e standardeve të mohuara. Nëse stabiliteti mund të vendoset me forcë, me ushtri e polici, nga lart ose me ndërhyrje nga jashtë, nëpërmjet një dore të fortë, standardet janë ku e ku më të vështira për t'u rivendosur kur shoqëria e ka humbur besimin në to. Kjo sepse politikë në Ballkan do të thotë: mjaft që disa të mbeten apo të vijnë sa më shpejt në pushtet, pa le t'i bjerë zjarri shoqërisë! Është kjo mendësi bajraktërore që e çmonton, e demotivon dhe kthen në haraç standardin, duke i detyruar qytetarët, duan s'duan, të pajtohen me të keqen më të vogël, si dhe me udhëheqësin pak më të mirë se i mëparshmi.
Nga pësimet e historisë ende nuk e kemi kuptuar se kur mungojnë gjatë standardet, vetvetiu do të bëhet i pasigurt dhe i kërcënuar edhe stabiliteti. Përveç "faktorit të brendshëm", i cili, si e thamë më sipër, nuk ka pas qenë i aftë (apo nuk e ka dëshiruar?) mbrothësimin e jetërsimin e standardeve demokratike, në fakt edhe BE dhe SHBA, si tutorë të demokracisë, kanë qenë e janë të prirur të kenë më shumë kujdes e syçeltësi për rrezikun e humbjes së stabilitetit në rajon, se sa për mungesën e standardeve. Sepse, me sa duket, mbisundon ideja që në fund të fundit këta popuj kanë jetuar gjatë mbi fuçinë e nakatosur me barot e folklor, nëpër diktatura të tejzgjatura bajraktarësh, duke u kacafytur me njëri-tjetrin dhe për "mustaqet e Çelos", e, meqë nuk janë mësuar të bashkëjetojnë në demokraci e në harmoni, "u duhet kohë sa të mësohen me rregullat e lojës të demokracisë". Por edhe sepse, ngaqë, sipas tyre, demokracia nuk mund të eksportohet, as të jepet si dhuratë. Por ama qe kështu atëherë përse stabiliteti mund të jepet/imponohet edhe me forcë, qoftë edhe me ndërhyrje ushtarake?
Shqipëria e pasdiktaturës është shembulli më i spikatur për të kuptuar se sa e flashkët dhe e pakuptimtë bëhet demokracia kur e humb perspektivën dhe shpresën për të pasur standarde demokratike. Sepse stabilitet pa standarde mund të ketë vetëm në diktaturë. Këtë e kemi provuar, ndërsa në demokraci kjo duhet të quhet një mision i pamundur. Të ashtuquajturit nostalgjikë nuk kanë lindur vetëm nga lidhjet e tyre gjenetike me sistemin e vjetër, por edhe nga zhgënjimet që u jep një demokraci pa standarde. Ja përse ka ardhur koha të luftohet më shumë për të rritur e forcuar më tepër standardet së brendshmi, se sa nevojën për stabilitet në rajon.
Rama po synon të kryejë këtë mision të vështirë, vendosjen e standardeve, paçka se edhe atë e ka zënë dalldia për të qenë e për t'u bërë një lider ballkanik, i cili kujton se ka në dorë çelësin e stabilitetit në Ballkan. Ne shqiptarët hë për hë jemi më pak euroskeptikë dhe më proamerikanë se fqinjët, ndaj kemi pranuar të paguajnë haraç për stabilitetin për hir të këshillave të ndërkombëtarëve, por kjo nuk do të thotë se mund të jetojmë gjatë pa standarde demokratike, qoftë edhe duke u përkëdhelur herë pas here se jemi, demek, "faktor stabiliteti", meqë po i zbatojmë një për një porositë dhe udhëzimet e tyre….
Pa asnjë dyshim ky rol nuk mund të kryhet me sukses po qe se në shoqëri nuk ka standarde. Sepse pas zhgënjimit të radhës, nesër nuk do të fajësohen vetëm krerët që na keq-qeverisën e katandisën, po edhe protektorët ndërkombëtarë që patën stimuluar dhe investuar për të mbajtur të mbyllur "tenxheren me presion" në Ballkan.
/Gazeta shqiptare, 7 nëntor 2014/





