Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe presidenti Hashim Thaçi, kanë aktivizuar ekipin menaxhues, që do të bëjë draftimin e statutit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Sipas njoftimit nga qeveria, “draftimi i statutit do të jetë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, i cili do të përbëhet nga 3 mekanizma punues: Ekipi menaxhues, Komiteti zbatues si dhe Grupi nacional konsultativ, të cilët do të garantojnë përfshirje të gjithë spektrit politik, shoqërisë civile dhe mekanizmave të tjerë relevant të shoqërisë”.
Qeveria ka theksuar se në proces do të përfshihen edhe mekanizmat ndërkombëtarë, dhe këtë e ka vlerësuar si hap të rëndësishëm në rrugën euro-atlantike për Kosovën.
“Drafti final i statutit, në fund të procesit bashkë me direktivën, do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese për t’u siguruar se është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim të qeverisë.
Qeveria thotë se me këtë hap, Kosova përmbush edhe një obligim ndërkombëtar, “duke dëshmuar përkushtimin e saj në rrugën euro-atlantike”.