18 qershor 2015 – Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, një ditë pas arrestimit në Slloveni, ka thënë se nuk i trembet ekstradimit në Serbi, nëse kjo do të kërkohet.
Në një intervistë për televizionin serb N1, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës akuzoi qeverinë sllovene për sjellje të turpshme ndaj tij.
“Jam në Lubjanë, në pritje të vendimit për kthimin e pasaportës time në mënyrë që të udhëtoj në Prishtinë. Për mua, kjo situatë është e papranueshme, se Sllovenia nuk e ka pastruar dosjen. Nëse nuk është gabimi i tyre, nëse sistemi nuk ka gabuar, atëherë ky është një qëllim dashakeq i qeverisë këtu. Nuk shqetësohem fare për Serbinë, unë jam qytetar i Kosovës”, tha Haradinaj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/