Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka zhvilluar sot një takim me Drejtorin e Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, ku ka treguar vullnetin e palës kosovare për bashkëpunim bilateral në mes të dy vendeve.

Gjatë bisedës me Moore, Haradinaj ka folur për prioritetet e qeverisjes së tij, agjendën integruese të Kosovës dhe përkushtimin në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Moore në anën tjetër ka vlerësuar progresin e Kosovës, duke thënë se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë angazhimin e saj në Kosovë, duke e mbështetur këtë vend në procese të rëndësishme dhe në rrugën evropiane.

Haradinaj ka falënderuar Britaninë e Madhe për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës në shumë fusha.

“Ndihma dhe angazhimi i Britanisë së Madhe është i nevojshëm në Kosovë dhe ky partneritet duhet të avancohet edhe në fusha të tjera, në interes për të dyja vendet”, është shprehur ai.

Përveç tjerash, në takim është diskutuar edhe për përgatitjet e Kosovës për pjesëmarrje në Samitin e Londrës, i cili do të mbahet javën që vjen./REL