Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosova është e përkushtuar në luftimin ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm.
Këtë zotim, ai e dha gjatë takimit me Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco.
“Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj që të parandalojë dhe luftojë ekstremizmin në vend dhe ky angazhim do të vazhdojë”, tha Haradinaj, sipas njoftimit të Kryeministrisë.
Haradinaj e përmendi anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL si mundësi që sipas tij, do ta ndihmonte jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin dhe Bashkimin Europian në fuqizimin e sigurisë.
Marocco, në anën tjetër, vlerësoi, siç thuhet në njoftim, të arriturat në Kosovë, duke theksuar përkushtimin e SHBA-së për të ndihmuar Kosovën në të gjitha proceset e rëndësishme.
Ai e çmoi angazhimin konkret të Kosovës në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit, thuhet në njoftim./REL