Kryetari i partisë opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër i Kosovës, Albin Kurti dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani nuk kanë kërkuar nga partia e tij, që të bëhet pjesë e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Nuk kemi marrë prej tyre një propozim, një kërkesë, një marrëveshje politike për të votuar ose presidenten ose qeverinë. Ata nuk kanë kërkuar prej nesh një bashkëpunim. Vetvetiu ne nuk jemi pjesë e një marrëveshjeje politike për votimin e kandidates së Vetëvendosjes për presidente”, tha Haradinaj të mërkurën gjatë një konference për media.
Haradinaj tha se njoftimi që partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës do të marrë pjesë në votimin për presidentin, tregon se ka një marrëdhënie të re mes kësaj partie dhe VV-së.





