Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vendosur disa kushte për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe, për anulimin e të cilave është vënë nën trysninë perëndimore.
Në një dokument të publikuar në faqen e tij në facebook, kryeministri thekson se u ka dërguar një dokument ambasadorëve të pesë vendeve kryesore perëndimore dhe përfaqësueses së Bashkimit Evropian, në të cilin thekson se qeveria e tij do të pezullojë menjëherë tarifën në rast se plotësohen disa rrethana, duke filluar nga organizimi i një konference ndërkombëtare me qëllim të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura ndërmjet dy vendeve. Konferenca, shkruan ai, duhet të fillojë sa më parë që është e mundur dhe duhet të përfundojë brenda 14 ditëve.
Ne dokument thuhet se “Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, duhet do të japin zotime publike dhe do të garantojnë që në Konferencë nuk do të ketë: Çfarëdo rivendosje të kufijve ekzistues të Kosovës, ose ndarje të Kosovës, ose shkëmbime territoriale të çfarëdo natyre; dhënie të kompetencave ekzekutive të çfarëdo forme për asociacionin e komunave serbe në Kosovë ose ndonjë marrëveshje tjetër që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës; masa të çfarëdo natyre të bazuar në koncesione që shkojnë para datës 17 shkurt 2008”.
Në dokument thuhet se “BE-ja duhet të jap zotime shtesë publike dhe do të garantojë se: do të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës para fillimit të Konferencës; do të zbatohet dhe do të jetë plotësisht funksionale Marrëveshja për Energji e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë para fillimit të Konferencës”.
Në dokument kërkohet edhe vërtetimi se “Serbia ka larguar të gjitha barrierat jo-tarifore ndaj lëvizjes së mallrave nga Kosova, si dhe të gjitha kufizimeve të paligjshme në tregtinë e shërbimeve dhe lëvizjen e njerëzve nga Kosova në Serbi.
Presidenti, Kryeministri ose Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë konfirmojnë publikisht se janë ndaluar në mënyrë permanente të gjitha politikat dhe veprimet e çfarëdo lloji të drejtuara kundër aspiratave të Kosovës si shtet sovran qoftë nëse ato aplikohen në nivel lokal, rajonal apo ndërkombëtar”.
Në dokument theksohet se “tarifa do të ri-vendoset menjëherë nëse Konferenca nuk përfundon me një marrëveshje gjithëpërfshirëse të detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron, ndër të tjera, njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Tarifa do të ri-vendoset në një datë të mëvonshme nëse nuk arrihet të zbatohet marrëveshja gjithëpërfshirëse e detyrueshme e arritur në Konferencë”.
Dokumenti pasoi thirrjet e së premtes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pezullimin e menjëhershëm të tarifës në importet nga Serbia dhe Bosnja si një masë e nevojshme për të rimëkëmbur procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Në një komunikatë të ambasadës amerikane në Prishtinë thuhej se veprimet që minojnë këto bisedime, pengesat nga anash dhe refuzimi për ta pezulluar këtë tarifë shkojnë kundër interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke tërhequr vërejtjen për pasoja të mundshme në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, në rast se ndërmerren veprime të ngjashme.
Tarifa ndaj mallrave serbe, e vendosur me 21 nëntor të vitit që lamë pas, nxiti edhe reagimin e Bashkimit Evropian i cili krahas kërkesës për heqjen e saj, i dërgoi edhe një propozim Prishtinës nëpërmjet komisionarit për zgjerim Johanes Hahn, për një marrëveshje që përfshin të gjitha aspektet ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Por, kryeministri Haradinaj tha se një marrëveshje e tillë do të ketë kuptim vetëm bashkë me marrëveshjen për njohjen e Kosovës.
Beogradi ndërkaq kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave duke bërë që procesi i bisedimeve të vazhdojë të mbetet i pezulluar me gjithë thirrjet evropiane dhe amerikane për një marrëveshje sa më të shpejtë që u hap rrugën të dyja vendeve në procesin e integrimeve evropiane.
Por, mbajtja në fuqi e tarifave dhe thirrjet amerikane për anulimin e tyre kanë nxitur qëndrime të ndryshme në Kosovë dhe një përplasje në distancë ndërmjet kryeministrit Haradinaj dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi./VOA