Ceremonia e shënimit të 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit nuk ka kaluar pa incident. Në eventin e organizuar nga kryeministria e Kosovës, një pasardhëse e gjeneral Mehmet Derrallës doli në foltore pa ftesë gjatë akademisë solemne. Por ky veprim i saj nxiti Ramush Haradinajn që të reagojë dhe t'ia ndërpresë fjalimin.
“Profesor, etnograf të nderuarit dhe të rrojtët rrogozit, kam fatin që jam pasardhësja e vetme e lindjeve të djemve të gjeneral Mehmet Derrallës, që iu besua posti i Ministrisë së Luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit. I vetmi anëtar që përfaqësoi trojet që sot janë mbetur jashtë Shqipërisë londineze, shpreh keqardhjen e thellë që jo vetëm në kohën e komunizmit, kam pasur babën në burg vetëm pse ka qenë djali i Mehmet Derrallës”.
Fjalimi i saj nxiti kryeministrin Ramush Haradinaj që të reagojë personalisht, duke e kapur për dore zonjën për ta larguar nga foltorja. Ajo reagoi duke i thënë kryeministrit që nuk ka të drejtë ta tërheqë për dore në atë formë. Më pas reaguan organizatorët dhe e larguan zonjën, e cila dëgjohej po ashtu duke u grindur edhe mbrapa skenës. Kryeministri e mori fjalën shkurt në foltore, duke thënë se ceremonia vazhdon sipas agjendës.