Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha të hënën korrigjimi i kufijve rrezikon kthimin në të kaluarën tragjike, ndërsa bisedimet me Serbinë duhet të çojnë në njohjen e ndërsjellë.
Ai i bëri këto komente gjatë takimit të Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, Bashkim Evropian-Kosovë.
Kryeministri Haradinaj tha se është i interesuar të arrihet një marrëveshje detyruese ligjore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por kjo sipas tij nuk duhet të ndodh përmes territoreve dhe kufijve.
“I bëjmë thirrje secilit vendimmarrës në Evropë dhe më gjerë, të mos lejojnë që procesi të shkojë në drejtimin e gabuar dhe që të jenë në kohë për të thënë jo, sepse në të kaluarën vonesat kanë kushtuar me jetë të njerëzve. Ne nuk jemi të interesuar të shohim rajonin dhe Ballkanin të kthehen mbrapa në atë kohë të tragjedive”,tha kryeministri Haradinaj, duke nënvizuar se shpreson që në të ardhmen të arrihet një marrëveshje paqeje ndërmjet Kosovës e Serbisë.
“E kaluara jonë ishte tragjike. Plagët janë ende të hapura në vendin tonë. Ky është kontributi më i madh që mund të japë vendi ynë”,tha kryeministri Haradinaj.
Shefja e zyrës së Bashkimin Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, tha se bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë duhet të sigurojë që të dyja vendet mund të vazhdojnë në rrugën drejt BE-së, duke shmangur çdo bllokadë ndaj njëra tjetrës.
“Bashkimi Evropian pret që të dyja palët të vazhdojnë punën dhe përkushtimin për procesin. Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian kanë qëllimin kryesor arritjen e një marrëveshjeje detyruese ligjore për normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që drejton të gjitha çështjet e hapura ndërmjet dyja palëve njëherë e përgjithmonë”,tha ajo, duke nënvizuar se këto bisedime kanë për qëllim të promovojnë bashkëpunimin, normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, afrimin e rrugës së tyre drejt Bashkimit Evropian dhe përmirësimin e jetës së njerëzve.
“Vështirësitë mbeten, por Bashkimi Evropian përmes bisedimeve të ndërmjetësuara nga përfaqësuesja e lartë do të mbështesë punën e dy presidentëve. Përparimi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës është shumë i rëndësishëm”, tha zonja Apostolova.
Kosova është përfshirë në debate për kufijtë, pasi që presidenti Hashim Thaçi vazhdon të mbrojë idenë e tij për korrigjimin e kufirit, ndërsa opozita dhe një pjesë e partive të koalicionit qeverisës po e kundërshtojnë këtë mënyrë.
Derisa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ngulë këmbë për idenë e tij, që nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë me Kosovën, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vucic, e ka shpallur politikë të tij vënien e kufijve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve që nënkupton ndarjen tokësore të Kosovës.
Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian. Por, ende është e paqartë se çfarë mund të jetë ajo marrëveshje dhe çfarë janë mundësitë për arritjen e shpejtë të saj. Edhe në Beograd edhe në Prishtinë, bartësit e këtyre bisedimeve thonë se kanë pak shpresë për të./VOA