Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar me ambasadorin Nathan A. Sales, i cili është koordinator nga Byroja Kundër Terrorizmit në Departamentin e Shtetit.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se bashkë më Sales kanë diskutuar për situatën politike në vend.
Ai, po ashtu, tha se Kosova ka qasje sistematike të pakompromis ndaj luftës kundër terrorizmit.
“Me ambasadorin Nathan A. Sales, koordinator nga Byroja Kundër Terrorizmit në Departamentin e Shtetit, bashkëbiseduam mbi situatën politike në vend, sfidat rajonale e globale dhe e informova për qasjen sistematike e të pakompromis të Qeverisë në luftën kundër terrorizmit, për vendosjen e shtetit ligjor dhe fuqizimin e mekanizmave të sigurisë.
Kosova ndodhet në një etapë shumë të rëndësishme të konsolidimit të brendshëm e ndërkombëtar dhe mbështetja e ShBA-së mbetet e pazëvendësueshme. Aleatët tanë strategjikë Kosovën, si pjesë e koalicionit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit, e kanë partner serioz dhe të besueshëm”, ka shkruar Haradinaj.