·        Hartimi i një kurrikule të veçantë për studentët e UAMD-së, që do të mundësojë mësimdhënien për 50 orë gjatë këtij viti akademik, duke u mësuar studentëve të nivelit master shkencor aftësi praktike të programimit të kompjuterëve dhe software

DURRËS, 18 dhjetor 2014 – Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike së bashku me Fondacionin Open Labs në Shqipëri kanë realizuar rigjenerimin e laboratorit të Informatikës në Fakultetin e Teknologjisë dhe Informacionit të Universitetit të Durrësit, njoftoi zyra e shtypit e ministrisë.

Ky projekt mundësoi riformatimin e 20 kompjuterëve PC në këtë laborator, të cilët deri më tani nuk ishin të gjithë funksionalë, por me anë të programit Linux janë të gjithë të riformatuar dhe të përdorshëm lehtësisht nga të gjithë studentët.

Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike së bashku me anëtarët e fondacionit ranë dakord në hartimin e një kurrikule të veçantë për studentët e UAMD-së, që do të mundësojë mësimdhënien për 50 orë gjatë këtij viti akademik, duke u mësuar studentëve të nivelit master shkencor aftësi praktike të programimit të kompjuterëve dhe software.

Gjatë fjalës së saj zonja Harito në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, më 17 dhjetor 2014, tha:

“Përdorimi i programeve Open Source na mundëson sot të përdorim programe, të cilat nuk kanë nevojë për licencim, duke shmangur kështu përdorimin e programeve kompjuterike të piratuara. Qëllimi i këtij bashkëpunimi mi Open Labs është që të mësojmë studentët dhe jo vetëm këtë target, të përdorin asetet e tyre ekzistuese duke i rigjeneruar dhe duke i bërë të përdorshëm. Edhe sot ne administratën publike po përpiqemi të promovojmë përdorimin e programeve open source. Studentët të punojnë dhe të praktikohen me programet open source për të arritur edhe krijimin e start-ups me grupet e studentëve. Sot teknologjia na shërben për të rritur transparencën dhe kjo vërtetohet me konkurset në administratën publike. Sot konkurset zhvillohen për të garantuar meritokracinë dhe shanset e barabarta”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/