6 mars 2015 – Aktori  hollivudian Harrison Ford, ka mbetur i plagosur si pasojë e një aksidenti arjor. Avioni në të cilin po udhëtonte ylli i Indiana Jones, u përplas me një fushë golfi në Los Anxheles pas ngritjes nga një aeroport aty pranë. Avioni vetëm me një motorr u përplas me një pemë teksa po përpiqej të kthehej në aeroportin e Santa Monikës pas problemeve teknike. Në një deklaratë për mediat, publicistja e aktorit 72-vjeçar, Ina Treciokas, dha të gjitha detajet:

“Harrison po fluturonte me avionin e llojit ‘ww2’ sot, në momentin kur motorri i tij u fik. Nuk kishte asnjë alternativë tjetër përveç uljes emergjente, e cila u realizua me sukses. Ford u dërgua në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe pritet rikuperimi i tyre i plotë”. Djali i aktorit, Ben, gjithashtu shkroi në ‘Twitter’ nga spitali: “Babai është ok, i plagosur, por mirë. Ai është një burrë jashtëzakonisht i fortë”.

Autoritetet kanë nisur hetimet për shkakun e aksidentit dhe sqarimin e faktit se pse motorri i avionit është fikur pak minuta pas ngritjes. Harrison Ford është protagonist i shumë filmave hollivudianë, por rolet e tij më të famshme janë ato në ‘Indiana Jones’ dhe ‘Star Wars’.

Në vitin 1999, Ford pësoi një aksident me helikopter në veri të Los Anxheles, dhe vitin e kaluar theu këmbën gjatë xhirimeve të episodit të 7 të ‘STAR WARS’.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/