U premtua ngritja e memorialeve, në shenjë përkujtimi për viktimat e tërmetit.

Por sot, në vendngjarje nuk gjen asnjë memorial për jetët e humbura nën gërmadha.

Në pallatin pranë Kryqit të Kuq, në Durrës humbën jetën 7 persona, u shua një familje.

2 vite më pas, aty janë pastruar vetëm inertet, ndërsa sheshi ku dikur ngrihej pallati të ngjall trishtim.

Pirgje dherash dhe mbeturinash rrethojnë sheshin anekënd.

Një pamje e trishtë për këdo që jeton në këtë lagje dhe i njihte nga afër viktimat.

Po njësoj edhe në sheshin ku ngrihej 2 vite më parë pallati tek ish-Baronsi.

Shiritat që rrethojnë “lulishten” e mjerë të sjellin në mendje se dy vite më parë aty ishte vend krimi.

E ndërsa askush nuk u dënua për shembjen e pallateve, shteti harroi të nderonte viktimat e pafajshme.

Banorët e këtyre 2 pallateve ende sot janë pa shtëpi, ndërsa sheshet e braktisura dëshmojnë harresën e shtetit për qytetarët e tij.