17 shtator 2015 – Biblioteka publike e Durrësit nuk e ka festuar 70-vjetorin e themelimit për shkak të mungesës së fondeve. Projektit të paraqitur kohë më parë për organizimin e një feste dinjitoze në institucionin e dijes, bashkia e qytetit i ka dhënë përgjigje negative.

Që nga 10 shtatori i vitit 1945 biblioteka e Durrësit vazhdon të mbijetojë në të njëjtën godinë. Megjithë kujdesin e punonjësve dhe drejtuesve të saj në vite, shenjat e amortizimit dhe të mungesës së hapësirave duken kudo.

Fondi i librave dhe periodikëve e ka tejkaluar shifrën 245 mijë. Në 375 metra katrorë janë sistemuar mijra tituj, mes të cilëve 53 ekzemplarë nga antikuari dhe 1338 libra nga fondi i shqipes së vjetër. Librat e Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit e Marin Barletit që sjellin kulturën mesjetare shqiptare janë botuar në Romë e në Venedik. Një pasuri që vazhdon të qëndrojë e stivosur në rafte në kushte të mjerueshme konservimi, pasojë e sipërfaqes shumë të vogël.

Punimet e fundit restauruese në bibliotekë janë kryer 4-5 vjet më parë.

Biblioteka, 70 vjet nga nisma e qytetarëve durrsakë

Biblioteka e Durrësit është themeluar më 10 shtator 1945 në të njëjtën godinë ku ndodhet edhe sot, nga muzeumologu dhe bibliofili Vangjel Toçi, i cili një pjesë të madhe të librave të familjes i vendosi në raftet e përbashkëta në shërbim të bashkëqytetarëve. Pas tij mbiemra të njohur të qytetit në shekullin e kaluar si Manushi e Beshiri, Shijaku e Lezhja, Harizi e Dovana, Margariti, Tati e Gjata e shtuan fondin e dijes me qindra libra të tjerë. Biblioteka  u vendos në qendër të Durrësit, në një vilë të shtetëzuar në fillimet e sistemit komunist, e cila që prej vitit 1994 i është rikthyer zyrtarisht ish-pronarit të saj.

Për disa dekada me radhë institucioni u bë një pikë referimi për nxënësit dhe studentët, specialistët dhe pedagogët, ndërsa drejtuesit e saj në vite: Vangjel Toçi, Përtef  Kruja, Hasan Ulqini apo Pirro Dollani ishin studiues, shkrimtarë apo përkthyes të njohur.

Projektet e paraqitura dhe premtimet e administratës bashkiake për ndërtimin e një “shtëpie” të re të librit deri tani kanë mbetur në letër. Qyteti bregdetar tashmë ka afro 210 mijë banorë dhe biblioteka vazhdon të qëndrojë në godinën e vitit të largët 1945, kur qyteti nuk kishte më shumë se 8500 banorë.

/portali DurresLajm/