Statistikat e 10-mujorit në portin e Durrësit përsa i përket transportit detar janë shumë më të mira sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar, kur udhëtimet kushtëzoheshin nga pandemia Covid-19.
Tragetet e linjave Durrës-Bari/Ankona e kthim, kanë kryer 764 lundrime, përgjatë 10 muajve të 2021, ose 136 lundrime më shumë se e njëjta periudhe e vitit 2020.
Sektori i statistikave në Autoritetin Portual Durrës, bën të ditur se gjatë kësaj periudhe, transportin detar e kanë shfrytëzuar 610, 298 pasagjerë ose 348, 298 pasagjerë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave zyrtare, vihet re nje rritje e ndjeshme e udhëtarëve në transportin detar, krahasuar me vitin 2020, kjo si rrjedhojë e kufizimeve për shkak të pandemisë Covid 19, e cila ndikoi edhe në industrinë detare në mbarë botën.
Rreth 216, 983 automjete, trailerë dhe kamionë kanë hyrë-dalë nëpërmjet portit të Durrësit, për të vijuar transportin e mallrave për llogari të biznesve. Krahasuar me vitin 2020, kjo shifër arrin në 54,279 mjete më shumë se në vitin paraardhës.