Nga Gladiola BUSULLA

Shoqëria ku jetojmë privilegjon me epërsi aparencën, ndaj brendisë së qenies. Tashmë jemi zhytyr në një mani të çmendur që evokon me insistim dhe në mënyrë të pandërprerë, bukurinë fizike, arritjen e suksesit, famën. Media tregohet tejskajshmërisht e pamëshirshme në këtë drejtim, duke bombarduar me imazhe supermodelesh, aktoresh apo personazhesh të tjera të famshme nga bota e show biz-it, super të kuruara, super të grimuara, bukuri gati në perfeksion, jashtë realitetit të përditshëm.

Për shumë të rinj, kujdesi tejet i tepruar për fytyrën, flokët, trupin, veshjet etj., është tregues se ata kanë boshllëqe emocionale e psikologjike. Ndoshta tendenca ekstreme ndaj look-ut dhe paraqitjes fizike mund të jetë një apel për vëmendje e përkushtim.

Roli i prindërve është kyç në konstatimin e çrregullimeve të të ushqyerit. Është e domosdoshme që ata të kthejnë sytë drejt perspektivës së fëmijëve të tyre, projekteve të tyre, dëshirave të tyre, dhe tek mungesa e vetëvlerësimit apo inferioriteti që i karakterizon veçanërisht.

Sokrati, filozofi më i madh i njerëzimit është shprehur se “Nuk jetojmë për të ngrënë; por hamë për të jetuar", ndaj duke konsumuar ushqim të mirë, ti jo vetëm kënaq oreksin, gjithashtu arrin t’i sigurosh trupit tënd, shëndet dhe ekuilibër.

Me fjalën "ushqim" shpesh asociojmë fjalën "dietë", e cila keqpërdoret në ditët e sotme. Ky term vjen nga greqishtja dhe do të thotë "jetë" stil apo mënyrë të jetuari.

Ushqimi është një nga bazat themelore të jetës sonë dhe njohuritë rreth tij mund të na ndihmojnë të jetojmë më mirë. Prandaj, ky është kuptimi i vërtetë i nocionit "dietë", një mënyrë jetese dhe një dietë e shëndetshme për të ekuilibruar trupin tonë. Zakonisht me termin dietë, sot nënkuptohet humbja e kilogramëve të tepërt, thënë ndryshe një regjim ushqimor i rreptë dhe i limituar në kalori.

Trupi i njeriut përbëhet nga substanca të tilla kimike si: proteinat, karbohidratet, lipidet, glucidet, mineralet, vitaminat, uji. Duke u mbështetur në to, është konceptuar dhe ndërtimi i piramidës ushqimore që përmban ushqimet e duhura për ne.

Mirëpo, gjatë dekadave të fundit, problemi i ushqimit dhe i qasjes ndaj tij është shndërruar në ankth për miliona njerëz, kryesisht të rinj.

Çrregullimet e të ngrënit përbëjnë një ndër emergjencat më të spikatura dhe më shqetësuese, por shpejtësia me të cilën kjo “sëmundje” është përhapur të bën të mendosh për një epidemi të vërtetë sociale. Anoreksia, bulimia, obeziteti tashmë janë pjesë e fjalorit të përditshëm.

Ata që vuajnë nga anoreksia ose bulimia janë të fiksuar me sasinë e ushqimit që duhet të konsumojnë. Megjithatë, anoreksia karakterizohet nga rëndësia e tepruar që i jepet peshës (ai qe vuan nga anoreksia ndihet shumë i shëndoshë, edhe pse është tejet i dobët), ndërsa bulimikët, pasi hanë me dëshirë sforcojnë veten të vjellin ushqimin e tepërt. Në fakt ka një gamë të gjerë çrregullimesh në ushqim, të cilat manifestohen me karakteristika të ndryshme.

Mjekët dietologë rekomandojnë se është e rëndësishme të krijohet një marrëdhënie e shëndetshme me ushqimin, të rizbulosh kënaqësinë e ushqimit dhe të dëgjosh mesazhet që trupi jep vazhdimisht.

Sot shumë dieta absolutisht të parekomandueshme po dështojnë, dhe për më tepër po influencojnë negativisht në vetëkontrollin, në vetëvlerësimin ose në vetëbesimin e njerëzve. Dietat urdhërojnë atë që duhet ngrënë dhe kohën kur. Gjithashtu rendisin dhe një sërë ushqimesh të ndaluara. Humbja e peshës është shndërruar në një industri të vërtetë fitimprurëse, edhe pse shumë dieta s’funksionojnë apo në momentin kur nuk i nënshtrohesh më atyre, rimerr formën e mëparshme (prej së cilës u shkëpute me aq mund e sakrificë).

Virginia Woolf tek “Një dhomë më vete” artikulon një thënie më se të goditur: "Nuk mund të mendosh siç duhet, të dashurosh siç duhet, të flesh siç duhet, në qoftë se nuk ke ngrënë mirë."

S’duhet hequr dorë nga ideja se të ngrënit është një kënaqësi, por duhet të menaxhosh sasinë dhe kohën kur i merr vaktet. Përderisa trupi i njeriut ka nevojë për kalori dhe për çdo element që përmban piramida e ushqimit, kjo do të thotë se s’duhet të privohemi nga asgjë; vetëm të bëjmë kujdes! Sidomos, më shumë ecje dhe aktivitet fizik.

Gjithashtu s’dua ta lë pa prekur dhe një aspekt tjetër të rëndësishëm që ka të bëjë me ushqimin. Ai  duhet konsideruar një akt dashurie; përgatitja, servirja, konsumimi i tij. Shpeshherë tavolina e ngrënies mbushet me trishtim. Gruaja, burri, fëmijët presin njëri-tjetrin për të ngrënë, dhe të gjitha problemet emocionale që janë akumuluar gjatë ditës shprehen(shpeshherë dhe me mllef), gjatë kohës që familja konsumon vaktin në tryezë. Dikush grindet, dikush sheh televizor, dikush komunikon me celularin. Në këtë mënyrë nuk mund të serviret dashuri, ekuilibër, ngrohtësi familjare, por është njëlloj sikur të gjithë pjesëtarët e familjes, të jenë duke konsumuar ushqim të “helmuar”.

 E kështu do të ndiejnë frikë të qëndrojnë për shumë kohë së bashku, ndaj ata veç sa hedhin ushqim në stomak dhe ngrihen, pa falenderuar dhe pa e bekuar atë. Çdo ditë hamë ushqim, pimë ujë dhe marrim frymë – duke harruar të jemi mirënjohës ndaj Zotit (besimtarët) a ndaj jetës vetë. Përse të mos e shndërrosh tryezën familjare në një bekim të madh, ku të ngrënit e shëndetshëm të bëhet për të gjithë familjen, një vakt dashurie dhe harmonie. Nëse e bekojmë vazhdimisht ushqimin tonë, vallë a do të ekzistonin pastaj çrregullimet e sipërpërmendura ?! Nëse…