Duka dhe Dukesha e Sussex-it kanë nënshkruar një marrëveshje të re shumëvjeçare për projekte filmike dhe televizive me Netflix, duke hedhur poshtë raportimet e mëparshme që pretendonin se kompania e transmetimit nuk do të rinovonte kontratën me ta.
Harry dhe Meghan, të cilët nënshkruan një marrëveshje pesëvjeçare në vitin 2020 me vlerë të raportuar prej 100 milionë dollarësh, pasi hoqën dorë nga detyrat e tyre si anëtarë të familjes mbretërore, kanë bashkëpunuar me Netflix-in në disa projekte. Më i fundit është “With Love, Meghan”.
Raportimet mediatike kishin sugjeruar se shikueshmëria e ulët e disa prej projekteve të çiftit do të çonte në moszgjatjen e marrëveshjes së parë.
“With Love, Meghan” së bashku me markën e re të dukeshës, “As Ever”, në të cilën Netflix tani është partner, nuk arriti të hyjë në listën e 300 shfaqjeve më të shikuara të platformës për gjysmën e parë të këtij viti, ndërsa dokumentari i Harry-t për lojën Polo, u rendit në vendin 3 mijë e 346-të nga 7 mijë shfaqje gjithsej.
Kushtet e marrëveshjes së re shumëvjeçare për projekte filmike dhe televizive nuk janë bërë publikë.
Dukesha deklaroi: “Jemi krenarë që po zgjerojmë bashkëpunimin me Netflix dhe po zgjerojmë punën tonë së bashku për të përfshirë edhe markën As Ever. Unë dhe bashkëshorti im ndjejmë frymëzim nga partnerët tanë që punojnë ngushtësisht me ne dhe ekipin e Archewell Productions për të krijuar përmbajtje të menduar mirë në zhanre të ndryshme që kanë jehonë globale dhe që festojnë vizionin tonë të përbashkët.”
The Guardian shkruan se prodhimet e reja përfshijnë një sezon të dytë të “With Love, Meghan” që pritet më vonë këtë muaj, si dhe një speciale për Krishtlindje në dhjetor. Po ashtu edhe disa projekte të tjera.





