Harta e re e Gjyqësorit duket se po shkon drejt miratimit.
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka dhënë dakordësinë për hartën e re gjyqësore të hartuar nga KLGJ.
Në letrën dërguar Ministrisë së Drejtësisë, Çela thotë se vlerësojnë frymën e këtij bashkërendimi dhe koordinimi ndërinstitucional në përballje me nevojat për të lehtësuar rritjen e ngarkesës dhe mbështetur veprimtarinë e prokurorëve me numër të reduktuar.
“Në këtë vështrim, sipas Kushtetutës dhe ligjit përfshihet dhe sistemi i prokurorisë, me ndikim në riorganizimin e prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë dhe prokurorisë pranë gjykatës së apelit me juridiksion të përgjithshëm sipas kompetencave tokësore të gjykatave, riorganizim të cilin e vlerësojmë si nevojë emergjente për përmirësimin e funksionalitetit, eficencës dhe efektivitetit në sistemin e prokurorisë”, shkruhet në letër.
Sipas Çelës, harta e re gjyqësore vjen në kuadrin e procesit të pritshëm që sjell rritjen e kapaciteteve akomoduese me ambiente pune për prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore të seksioneve, administratës dhe shërbimeve mbështetëse në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm.
Ky vendim i kryeprokurorit vjen në një kohë kur shumë gjykata të vendit janë në kaos pasi avokatët po bojkotojnë seancat gjyqësore për shkak të hartës së re gjyqësore.
Kujtojmë se Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja është shprehur se bojkoti që po zhvillojnë avokatët kundër hartës së re gjyqësore është i papranueshëm, pasi po u mohojnë qytetarëve aksesin në drejtësi.
Manja ‘këshilloi’ avokatët që të shohin rrugën e përballjes ligjore, pas miratimit të hartës së re gjyqësore, ndërsa shtoi se janë marrë në konsideratë sugjerimet e tyre.
Avokatët vijojnë të dalin në protestë
Ndërkohë, në javën e tretë të bojkotit të seancave nga ana e avokatëve, Ministria e Drejtësisë nuk ka bërë asnjë hap pas për t’u tërhequr nga miratimi i hartës së re gjyqësore që i shkurton vendit 18 gjykata, duke lënë një sërë qytetesh të mëdha pa institucione të tilla.
Edhe këtë javë, protesta e avokatëve do të vazhdojë. Kështu, avokatët e Gjirokastrës dhe ata të Lezhës thanë se do të bojkotojnë seanca gjyqësore për sa kohë institucionet përkatëse nuk ka pasur asnjë reagim për kërkesat e tyre. Edhe Dhoma e Avokatisë në Lezhës, ku janë zhvilluar edhe protestat më të shumta përgjatë këtyre ditëve, ka paralajmëruar se do të bojkotojë seanca gjyqësore.
Gjatë mbledhjes së Kryesisë, është vendosur siç thuhet në reagim, me unanimitet për vazhdimin e bojkotit.
“Duke mbajtur në vëmendje se nga kjo hartë e re e propozuar për miratim, Dhomës Vendore Lezhë i mbyllen tri gjykata të Shkallës së Parë (Gjykata e Krujës dhe ajo e Kurbinit , si dhe Gjykata Administrative e Shkallës së Parë) dhe një gjykatë Apeli (Gjykata e Apelit Shkodër), si rrallë ndonjë dhomë tjetër. Të vetëdijshëm se sa të rënda do të jenë problemet që kjo hartë do të shkaktojë për qytetarët, ne vendosëm t’i qëndrojmë kërkesave tona të artikuluara me shkrim dhe publikisht”, thuhet në reagim.
Ndërkohë Dhoma e Avokatisë në Lezhë ka vendosur të bojkotojë seanca gjyqësore deri më datë 1 korrik, pra gjatë gjithë kësaj jave, duke paralizuar të gjitha proceset gjyqësore në gjykata dhe administrative.