Ambasada amerikane ka reaguar për miratimin e Hartës së Re Gjyqësore.

Në një reagim në rrjete sociale, bëhet me dije se mirëpret vendimin për miratimin e hartës së re gjyqësore.

Marrëveshja për hartën thuhet në reagim është një shembull i mirë i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të pavarura.

Reagimi:

Mirëpresim miratimin nga Këshilli i Ministrave të hartës së re gjyqësore sot. Harta e gjykatave të Shqipërisë u hartua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor nëpërmjet një procesi që përfshiu Ministrinë e Drejtësisë dhe aktorë të tjerë, si dhe ndihmë teknike nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës. Marrëveshja për hartën, e cila pasoi konsultime të gjera dhe marrjen në shqyrtim të shqetësimeve nga palët e interesuara si pjesë e procesit tre-vjeçar, përfaqëson një shembull të mirë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të pavarura. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka përmbushur me sukses detyrimin e tij ligjor për të garantuar rregullisht që sistemi i gjykatave është gati për të siguruar performancë te efektshme gjyqësore dhe për t’i dhënë drejtësi pa vonesë qytetarëve shqiptarë.