Nga FLAMUR KUÇI*
Ka një përpjekje të kreut të PD-së për të vënë hartën administrative në themel të rezultatit zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme vendore. Madje në mënyrë fataliste, PD-ja po artikulon tezën, sipas së cilës: “Me këtë hartë administrative mazhoranca projekton të fitojë në tavolinë 51 bashki”. Në fakt, teza bazohet në një arsyetim të thjeshtë. Votat e vitit 2013 janë reflektuar në hartën e re administrative dhe rrjedhimisht del që mazhoranca PS dhe LSI fiton rreth 51 bashki, ndërkohë që PD-ja mund të fitojë veç 10 syresh.
Por a është ky pretendim i vërtetë?
Le ta çojmë këtë arsyetim deri në fund, duke përkthyer çdo rezultat të pesë zgjedhjeve të fundit mbi hartën e sotme administrative (tabela). Për këtë qëllim kam marrë nga të dhënat e publikuara prej KQZ-së rezultatet zyrtare dhe i kam hedhur në hartën e re administrative. Kam pasur nevojë të bindem vetë përpara se të provoj të bind të tjerët. Shifrat janë kokëforte dhe nuk të lënë të gënjesh. Rezultatet zyrtare rrëzojnë pretendimin (shih tabelën).
Nëse rezultatet zgjedhore do t’i reflektonim në hartën e re administrative territoriale do të vihej re që rezultati i vitit 2005 do të shihte PS-në me pothuaj 2/3 e njësive vendore të fituara dhe PD-ja me 1/3 e tyre. Diçka më i balancuar do të ishte rezultati i vitit 2009, gjithsesi në avantazh PS-ja me rreth 36 njësi, kundrejt 25 të PD-së dhe vetëm rezultati i vitit 2013 do të ishte katastrofik për PD-në, duke e lënë me vetëm 1/6 e njësive vendore.
Një pamje e ndryshme do të vihej re në rezultatin e lokaleve: në 2007-n, PD-ja do të fitonte 35 njësi përkundrejt 26 të PS-së, ndërkohë që zgjedhjet e vitit 2011 do të ndaheshin në paritet të plotë, zgjedhjet e vitit 2015 janë të karakterit lokal, ndaj do të ishte më e natyrshme që referimi të bëhej po me zgjedhje lokale. Kjo do të thotë që harta e re zgjedhore, në zgjedhje lokale nuk duhet ta shohë PD-në si humbëse. Për rrjedhojë, pretendimi i PD-së që “harta është problemi, se përndryshe do të fitonim”, nuk rezulton i vërtetë. PD-ja mundet dhe duhet të fitojë edhe me këtë hartë administrative, siç do t’i kishte fituar me rezultatet e viteve të tjera.
Harta administrative mund të ketë shumë gjynahe. Ajo nuk arriti të kulmojë në një reformë reale administrative territoriale, por mbeti në kufijtë e një ndarjeje subjekt i orekseve lokale. Ajo nuk arriti të gjenerojë një konsensus mes faktorëve politikë, gjë që duhet të ishte në themel të qasjes së kërkuar. Por kjo nuk mund dhe nuk duhet ta justifikojë një qëndrim të dobët dhe pa karakter të PD-së. Pas një retorike të ashpër ndaj kësaj harte, qëndrimi vijues i lidershipit të PD-së ishte anemik, dikotom dhe i paqartë. Mbështetësit e PD-së e kanë të vështirë të ndjekin fillin e logjikës politike të kryetarit të PD-së, kur ai fillimisht kërcënon me “mospjesëmarrje në zgjedhje me këtë hartë” dhe pastaj, kur shpall vendimin për të hyrë në zgjedhje, as nuk merr mundimin të bëjë një arsyetim minimal, por justifikohet me pretendimin se “harta e dënon të marrë jo më shumë se 10 bashki”.
Ky është një pretendim, mes të tjerash, hileqar. Është hileqar me vetë mbështetësit e PD-së. Praktikisht ai po u thotë mbështetësve “mos pretendoni më shumë nga PD-ja dhe nga drejtimi i saj”, kur dihet që potenciali i PD-së është shumë më i madh se kaq dhe rezultatet historike e kanë provuar këtë gjë. I pasigurt në partinë e tij, i pasigurt te mbështetësit, por çka është më e keqja, i pasigurt në vetvete, kreu i PD-së preferon të ulë pritshmëritë e mbështetësve ndaj tij, duke ia hedhur fajin hartës administrative.
Nga ana tjetër, pretendimi i kreut të PD-së jo vetëm nuk është i vërtetë, por është dhe jopolitik. Zgjedhjet nuk humben apo fitohen përmes hartës. Ato fitohen në terren duke u organizuar, ngjallur besim në zgjedhës dhe duke prekur realisht pulsin e zgjedhësve me tema që janë pranë ndjeshmërisë qytetare. Për më tepër, arsyetimi i kreut të PD-së është edhe fatalist. Ende pa nisur përballjen e zgjedhjeve vendore, përballë një qeverisje diletante, deficitare e deficente, kreu i PD-së (që tashmë e sheh që edhe vetë ka qeverisur në të njëjtën mënyrë Bashkinë Tiranë) kërkon justifikimin para se të kërkojë motivimin.
A mund dhe a duhet të jetë disfatizmi dhe justifikimi mesazhi që duhet të japë kreu i PD-së? Përkundrazi, mbështetësit e PD-së presin që ekipi drejtues të tregojë platformën për të fituar në zgjedhjet vendore kundrejt një qeverisjeje arrogante të mazhorancës aktuale. Në terren kanë ofruar kandidaturën e tyre shumë anëtarë të PD-së, të cilët shprehen të sigurt te fitorja dhe demotivimi i tyre nga kreu i PD-së është fatkeq. PD-ja nuk duhet të vuajë dilemat e Bashës mbi kandidimin apo moskandidimin e tij në Bashkinë Tiranë pas një mandati tërësisht të dështuar dhe me kosto për të djathtën. Basha duhet të tregojë vendosmëri dhe qartësi nëse do që të kandidojë dhe jo ta kandidojnë të tjerët. Edhe nëse nuk kandidon, ai duhet të caktojë kandidaturën dhe jo t’ia caktojnë. PD-ja nuk ka pse vuan pasiguritë e kreut në drejtimin e vetë kësaj force politike. Në mënyrë që PD-ja të fitojë, ajo duhet të fillojë të ngjallë shpresë. Dhe e sigurt është që, për të ngjallur shpresë, PD-ja nuk mund ta shohë hartën si pengesë.
ZGJEDHJE
2005 2007 2009 2011 2013
PS 39 26 36 30 51
PD 22 35 25 31 10
http://gazeta-shqip.com/lajme/2015/02/06/harta-nuk-mund-te-jete-pengesa-per-pd-ne/
* Ish-këshilltar i ish-Kryeministrit Sali Berisha për çështjet urbane





