DURRËS, 25 TETOR 2014–  Teuta është përgatitur maksimalisht për ndeshjen e së dielës me Tiranën. Megjithëse do të ketë katër mungesa, Shabani, Krasniqi, R. Hoxha dhe Arlind Peposhi, në radhët e "djemve të detit" mbizotëron një atmosferë optimiste. Traineri i Teutës Hasan Lika është optimist për përballjen me Tiranën dhe shprehet se skuadra do të futet në fushën e lojës me qëllimin për ta fituar duelin me kryeqytetasit: “Krahas rezultateve jo shumë të kënaqëshme të fiksuara në kampionat, situata është e qetë. Po punojmë fortë, me qëllim për të formuar ose ndërtuar një skuadër dinjitoze. Prej disa ditësh, jemi fokusuar totalisht tek sfida me Tiranën, ndaj të cilës do të futemi në fushën e lojës vetëm për tre pikë. Sigurisht që do të jetë një përballje shumë e vështirë, pasi përballë do të kemi një kundërshtar shumë të fortë dhe tejet të motivuar, i cili mban kreun e klasifikimit. Jo vetëm me Tiranën, por në të gjitha ndeshjet ne futemi në fushë me qëllimin e vetëm për ta fituar duelin, pavarësisht se çfarë ndodh përgjatë 90 minutave. Skuadra është përgatitur dhe jemi fokusuar totalisht tek kjo përballje. Ne kemi besim se do t'ia dalim. Shqetësimi ynë i vetëm janë mungesat, të cilat për hir të së vërtetës janë shumë, plotë katër. Mungon qendërmbrojtësi R. Hoxha, mbrojtësi Krasniqi, mesfushorët Shabani dhe Peposhi. Pra janë këtër mungesa të rëndësishme. Do ishte problem për çdo skuadër nëse do t'i mungonin kaq shumë lojtar. Megjithatë, kemi lojtarë që mund t'i zvendësojnë dhe unë kam besim se nuk do të zhgënjehem nga ata. Cilido që do të futet në fushë do të jap maksimumin.” Në lidhje me ecurinë e deritanishme trajneri Lika deklaron se me atë që ka dhënë në fushë Teuta meritonte më shumë pikë: “Unë mendoj se skuadra ka zhvilluar ndeshje të mira, por nuk jam i kënaqur me pikët e grumbulluara deri më tani. Me lojën që kemi zhviluar dhe me atë që kemi dhënë në fushë, mendoj se duhet të kishim më tepër pikë, ndërkohë që faza e parë e kampionatit po mbyllet. Unë shpresoj dhe kam besim se skuadra do të vijë gjithnjë e në rritje dhe do të kemi progres në drejtim të grumbullimit të pikëve. Kemi lënë pikë në disa ndeshje dhe do të jetë e domsodoshmë rikuperimi i tyre në vazhdim. Tetë ndeshje, shtatë pikë. Ky është bilanci i Teutës në vigjilje të mbylljes së fazës së parë të kampionatit. "djemtë e detit" janë shumë mbrapa me pikë, krahasuar me sezonin e shkuar, ku në këtë periudhë rivalizonin kryesonin së bashku me Skënderbeun. Krahas drejtuesve të klubit, edhe tifozeria durrsake kërkon reagim nga skuadra. Këta të fundit po përgatiten për të qenë të shumtë në shkallët e stadiumit në përballjen me Tiranën, me qëllim të mbështesin skuadrën në këtë sfidë deçizive.