20 nëntor 2014– Teuta eleminohet në raundin e dytë nga Kupa e Shqipërisë. Të besuarit e Likës nuk shkojnë përtej barazimit 0-0 përballë Apolonisë në "Niko Dovana", rezultat i cili kalon fierakët në raundin e tretë të këtij kompeticioni, pasi fituan në ndeshjen e parë 2-1. "Djemtë e detit" janë përpjekur me të gjitha mënyrat për ta dërguar sferën në rrjetën e miqëve, por nuk ishin konkret në fazën sulmuese. Trajneri Hasan Lika deklaroi se skuadra zhvilloi volum të madh loje, por nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës.
"Mendoj se zhvilluam një ndeshje të mirë, por na mungoi goli. Ishim shumë kërkues duke krijuar me dhjetra raste, por nuk arritëm ta shtynim topin në rrjetë. Gjatë pjesës së dytë ishim edhe më kërkues, por nuk shfrytëzuam si duhet rastet e krijuara. Na mungon lojtari gol. Sulmuesit u përpoqën me të gjitha mënyrat për të realizuar, por e kanë të vështirë të shënojnë. Kryem zëvendësimet për t'i dhënë më shumë freski sulmit. ushtruam gjatë minutave të fundit presing mbi kundërshtarin, por edhe fati nuk ishte me ne. Nuk na vjen mirë për këtë humbje, sepse u skualifikuam, por duhet të shikojmë përpara. Të përgatitemi për ndeshjen e radhës me Laçin, e cila është po kaq e rëndësishme", përfundoi Lika.





