DURRËS, 18 tetor 2014– Trajneri i Teutës, Hasan Lika, shprehet se skuadra e tij është gati për t’u përballur me Apoloninë, ndaj të cilës thekson se do të kërkojë rezultat pozitiv.
“I kemi dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të përballjes me Apoloninë. Gjithçka gjatë këtyre ditëve ka ecur sipas parashikimit dhe e kemi shfrytëzuar këtë pauzë të kampionatit për t’u forcuar dhe konsoliduar më tepër si ekip. Në skuadër mbizotëron një atmosferë pozitive dhe kemi besim se do t’ia dalim. Apolonia është një skuadër e fortë, sidomos kur luan në fushën e saj. Këtë e kemi parë edhe në përballjet me skuadrat më të mira të kampionatit, ndaj të cilave ka marrë rezultate pozitive. Gjithsesi, ne nuk tërhiqemi nga objektivi ynë, që konsiston në zhvillimin e një ndeshjeje të mirë dhe në fund të saj të kemi marrë atë që meritojmë nga loja e zhvilluar”,
shprehet fillimisht Lika.
“Në transfertën e Fierit do të kemi dy mungesa të rëndësishme, sikurse janë Shabani dhe Krasinqi, të cilët vuajnë pasojat e dëmtimeve. Janë dy lojtarë decizivë për skuadrën tonë dhe do të na duhet t’i bëjmë llogaritë pa ta. Gjithsesi, skuadra ka në dispozicion lojtarë të tjerë, te të cilët kam besim se do të japin maksimumin në atë sfidë. Shpresojmë që të mos na dalin probleme të tjera të këtij lloji deri ditën e ndeshjes. Moduli i lojës do të jetë ai që kemi parë. Kundërshtari, siç u shpreha, është mjaft i fortë dhe i vështirë për t’u mundur, sidomos në shtëpi, por ne kemi besim se do t’ia dalim”,
përfundoi Lika.
/D.B Agjencia e Lajmeve Dyrrah/