Durrës, 14 qershor 2014 – Ditë intensive në merkaton e Teutës. Trajneri i sapoemëruar, Hasan Lika, është takuar sërish me presidentin Edmond Hasanbelliu. Subjekti kryesor i bisedës së tyre ka qenë merkatoja dhe projektimi fillestar i ekipit për sezonin e ardhshëm. Ndonëse nuk ka ndonjë emër konkret që mund të afrohet së fundmi, krerët e klubit durrsak kanë biseduar gjatë në këtë drejtim. Trajneri Lika tregoi për punën që po bëhet për ndërtimin e skuadrës në prag të sezonit 2014-2015:

“Jemi takuar disa herë me presidentin Hasanbelliu dhe mund të them që për ne drejtuesit mbaruan ditët e pushimit, pasi tani duhet t’i rikthehemi punës. Kemi biseduar me presidentin rreth nevojave që ka ekipi dhe mendoj se kemi ndërtuar një plan-ide që do t’i shërbejë ndërtimit të ekipit. Kjo kërkon kohë dhe do mundohemi ta shohim situatën me qetësi në mënyrë që të. Duam që fillimisht të përcaktojmë nevojat kryesore të ekipit dhe më pas të mendojmë se si mund të ndërhyjmë. Sigurisht që kjo do të ndodhë, pasi, siç edhe ju e dini, nga ekipi janë larguar shumë lojtarë që duhen zëvendësuar. Ka futbollistë që po i mendojmë por po mundohemi t’i studiojmë sa më mirë. Jemi në bisedime dhe po diskutojmë së brendshmi, si staf fillimisht. Për të qenë më korrektë, zyrtarizimet dhe emrat do të vijnë kur bisedimet të kenë marrë formën përfundimtare. Ndërsa futbollistët që i janë bashkuar së fundmi ekipit janë lojtarë cilësorë pa diskutim, ndryshe nuk do të ishin pjesë e ekipit. Edhe pse një pjesë e tyre janë të rinj në moshë, kanë cilësi të padiskutueshme. Synojmë që të rriten në këtë ekip, të fitojnë eksperiencë dhe më pas në një mënyrë të na garantojnë të ardhmen. Mendoj që së bashku me lojtarë të tjerë më me eksperiencë që ka skuadra do të ndërlidhen mirë.”

Teutës i janë larguar disa emra me peshë në fund të sezonit por sipas trajnerit Lika Teuta do të jetë ekip konkurrues edhe sezonin që vjen:

“Dihen cilësitë e atyre që u larguan, por ne do të shohim para dhe kemi ndër mend të ndërtojmë një skuadër konkurruese edhe për sezonin që vjen. Projekti aktual i klubit është që t’u besojmë më shumë elementëve të rinj. Aktualisht jemi të përqendruar te lojtarët që klubi ka në dispozicion dhe më pas do ta përforcojmë me lojtarë që garantojnë vazhdimësi. Ne kemi shumë lojtarë të rinj që kanë dëshirë të madhe për të qenë protagonistë dhe kjo na bën optimistë për të ardhmen. Pretendimet e këtij klubi janë gjithmonë të larta. Sezonin që shkoi Teuta e humbi vetëm javën e fundit Europën, por kjo duhet harruar tashmë. Të mendojmë për sezonin tjetër në mënyrë që të jemi sa më konkurrues. Koha është në favorin tonë dhe besoj se do të ndërtojmë një ekip kompakt për superligën.”

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/