DURRES– Ende nuk është bërë e mundur gjetja e një traineri të ri për skuadrën e Teutës, megjithëse drejtuesit e klubit bënë të ditur se shumë shpejt do të prezantohet trajneri i ri.

Lista e teknikeve që kanë shprehur dëshirën të drejtojnë nënkampionen është shumë e gjatë, sikundër edhe e atyre që janë në preferencat e presidentit Edmond Hasanbelliu, i cili nuk preferon të nxitohet me trajnerin e ri.

Mësohet se Hasabelliu ka patur kontakte dhe bisedime me disa emra të mëdhenj të pankinës, por që për momentin dëshiron ta mbajë të paidentifikuar teknikun që do të drejtojë stolin e Teutës, për pjesën e mbetur të sezonit.

“Djemtë e detit” kanë vijuar të stërviten nën drejtimin e kosovarit Sedat Pajaziti, pasi atij i është deleguar e drejta për të stërvitur skuadrën gjatë fazës përgatitore.