Teuta ka ndryshuar rrënjësisht në këtë sezon, duke filluar nga stafi teknik te merkato, e cila ka qenë tepër cilësore. Në skuadër janë afruar lojtarë me eksperiencë që kanë mjaft trofe në palmaresin e tyre, por edhe të rinj shumë të talentuar, që kanë etje të madhe për trofe.
Stafi teknik me në krye presidentin Edmond Hasanbelliu kanë bërë një gërshetim të lojtarëve të rinj me ata me eksperiencë për të mbërritur te suksesi.
Numri një i klubit bregdetar flet për pritshmëritë, objektivat në sezonin e ri, por edhe Ligën Profesioniste, e cila është kthyer në një telenovelë me shumë seri. Gjithashtu, ai ndalet edhe tek trajneri i ri, Bledi Shkëmbi dhe zbulon cilësinë që pëlqen më tepër tek ai si trajner.
Çdo trajner kërkon të ketë sa më tepër alternativa, a do ketë afrime të tjera te Teuta?
Me afrimin e Sidibe, merkato për Teutën u mbyll. Ai erdhi me formulën e huazimit nga Besëlidhja dhe jemi të kënaqur me afrimet që kemi bërë. Në tërësi themi se jemi të kompletuar. Mbrojtja është e fortë dhe me eksperiencë, ndërsa në sulm kemi Latif që bëri një sezon të mirë dhe Krujën që ka pasur një rritje të madhe kohët e fundit.
Janë afruar 15 lojtarë, si e vlerësoni merkaton?
Ky ka qenë edhe objektivi ynë në fillim për të kombinuar elementët e rinj me ata me eksperiencë. Sidibe dhe Kamara janë lojtarë cilësorë, për të cilët kemi qenë dakord si unë ashtu edhe trajneri. Te Flamurtari ishin më të mirët dhe shpresoj të shkëlqejnë edhe këtu. Kemi nënshkruar gjithashtu me Traore, i cili vjen me huazim nga Torino dhe ka dhënë sinjale pozitive. Gjithashtu kanë ardhur edhe Vecaj e Deliu që kanë bërë mirë në ekipet e tyre jashtë vendit. Osmani dhe Bicaj kanë eksperiencë, janë pak mbrapa me stërvitjen, por vlerat e tyre dihen. Gjithashtu kemi edhe Hidin, një portier shumë i mirë që ka eksperiencë të madhe jashtë vendit.
Teuta një vit më parë ka pasur probleme në mbrojtje, a mund të themi se këtë sezon është e blinduar?
Mbrojtja është me eksperiencë. Them se jemi të kompletuar, pasi përveç lojtarëve që kemi afruar në këtë repart, kemi Hakajn që është një lojtar i ri, i cili së bashku me Gjorgjevskin ka bërë një sezon shumë të mirë vjet.
Ku besoni se do të arrijë kjo Teutë?
Për mua si president ne duhet të kualifikohemi në kupat e Europës. Në rast të kundërt do të ishte një dështim i madh, pasi kemi bërë një merkato cilësore.
Shkëmbi ka aplikuar disa module loje deri tani, cili është i preferuari juaj?
Është pak e habitshme në njëfarë mënyre. Bledi është një trajner që kërkon lojtarë që dinë ta luajnë mirë topin, të kenë vizion për lojën dhe nuk i ka qejf ata që kanë forcën si pikën e tyre më të fortë, ndryshe nga Magani një vit më parë. Personalisht preferoj lojën sulmuese dhe në këtë pikë jemi përshtatur.
Kampionati fillon me Flamurtarin në shtëpi, më mirë për Teutën?
Nuk ka shumë rëndësi kjo pjesë, por është medalje me dy pjesë, pasi në rast se nuk fitojmë do të jetë një hap i gabuar. Gjithsesi, kampionati është i gjatë dhe nuk ka shumë rëndësi kjo. I rëndësishëm është kolaudimi i skuadrës. Pjesa më e madhe kanë vetëm një muaj bashkë me njëri-tjetrin dhe akoma nuk janë njohur mirë.
Çfarë përshtypje ju la ekipi në triangolaren me Partizanin dhe Lirinë e Prizrenit?
Në fushë pashë lojtarë cilësorë, por që kanë nevojë për kohë. Akoma nuk lidheshin mirë me njëri-tjetrin. Ky besoj se ishte një defekt, le të themi, mbrojtësi i krahut të djathtë nuk koordinohej mirë me mesfushorin e krahut të djathtë apo edhe mbrojtësi i majtë. Gjithsesi, unë mendoj se skuadra është në rritje dhe gradualisht do të shprehë më të mirën.
Është pak herët për të folur për objektiva madhorë, por a mendoni se ky është ekipi ideal për të mbërritur te trofetë? Pra, a janë të gjithë komponentët?
Tani shpresën e kemi, edhe pse me eksperiencën që kam, nuk më lejohet të flas përpara kohe. Por mendoj se nëse nuk kualifikohemi në kupat e Europës dhe dalim pa trofe këtë vit, do të ishte dështim. Unë si president e quaj dështim, sepse kemi rroga të larta dhe ka pasur investime të mëdha.
Tifozët durrsakë gjithmonë kërkojnë shumë, tani që klubi ka ambicie të mëdha edhe ata duhet ta mbështesin ekipin. Ka një strategji për afrimin e tyre?
Ne vjet patëm një sezon tepër të vështirë, por besoj se do ta nisim mbarë kampionatin dhe do t’i afrojmë. Edhe ne duhet të punojmë më shumë në këtë pjesë, pasi duhet të ushqejmë te të rinjtë dëshirën për futboll, për t’i afruar në stadium. Duhet pak më tepër publicitet. Fëmijët e moshave të vogla duhet t’i afrojmë në stadium pa bileta dhe duhet të punojmë me fëmijët e shkollave.
Ju e keni trumbetuar se Liga Profesioniste është nevojë për klubet, në çfarë situate jemi?
Liga Profesioniste u bë bozë. Unë kam qenë i pari që kam qenë pro krijimit të saj. Do të shkojë një përfaqësues i klubit në një takim që FSHF do të zhvillojë. Me këtë çështje po merret Libohova. Unë jam gati dhe e shikoj si tepër të vonuar këtë gjë. Liga duhet të bëhet me patjetër, për interesin tonë (klubeve), por ka disa presidentë që nuk u intereson. Nuk u vjen mirë të bëhet Liga, por kjo gjë është për të mirën tonë. Ne duhet të ngulim këmbë që Liga të bëhet. Gabimi është i joni, 10 presidentë që jemi duhet të biem dakord për krijimin e saj dhe nuk duhet të presim nga FSHF që të na thotë për të krijuar Ligën, por të ndodhë e kundërta.