5 tetor 2014– “Qoftë ndaj Kukësit, apo çdo skuadre tjetër, ne do të kërkojmë tri pikët pasi në çdo ndeshje, skuadra mendon vetëm për fitore”.Kështu shprehet presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, i cili ka besim se skuadra do të vazhdojë ecurinë e rezultateve pozitive. Hasanbelliu vlerësoi skuadrën për fitoren ndaj Skënderbeut, ku si shpërblim akordoi 8 milionë lekë të vjetër, ndërsa kërkon tjetër triumf në dy sfidat e radhës: “Jemi një skuadër e re dhe detyrimisht duam kohën e nevojshme për t’u ambientuar. Edhe ndonjë hap i gabuar tani në fillim të kampionatit është i justifikueshëm. Skuadra përbëhet nga lojtarë të rinj, të cilët kanë nevojë të përshtaten me njëri-tjetrin dhe ndonjë hap i gabuar është i pranueshëm. Deri diku jam i kënaqur nga skuadra dhe kam besim se do të ecim mirë. Ka pasur disa ndeshje ku mund të kishim marrë më shumë, por të shikojmë përpara. Bëmë revolucion gjatë merkatos së verës dhe detyrimisht skuadra ka nevojë për pak kohë që të unifikohet. Lojtarët kanë gjithashtu nevojë të përshtaten me njëri-tjetrin. Pra, në këtë këndvështrim, nuk kam pakënaqësi. Sa u përket individëve, në tërësi jam i kënaqur. Dyshja kosovare Krasniqi-Shabani, apo Peposhi- Koreshi, si dhe lojtarët e tjerë më kanë kënaqur me paraqitjen e tyre, me atë çka kanë dhënë në fushën e lojës. Pres më shumë nga Pepa, pasi e di që mund të japë edhe më shumë.”

Në lidhje me objektivat këtë sezon Hasanbelliu shprehet: “Objektivi ynë për këtë sezon do të jetë pjesëmarrja në Kupat e Europës. Kjo mund të arrihet në dy mënyra: me anë të kampionatit ose me fitimin e Kupës së Shqipërisë. Ne do t’ia bëjmë hyzmetin dhe do të luftojmë në të dy frontet, me qëllim që të arrijmë objektivin. Skuadra duhet t’i marrë një e nga një të gjitha ndeshjet dhe nuk duhet nënvlerësuar asnjë kundërshtar. Tashmë kaluam Besëlidhjen për kupë dhe vëmendja duhet të përqendrohet për transfertën e Kukësit. Në çdo ndeshje, skuadra mendon vetëm për fitore dhe futet në fushë për të marrë maksimumin. Qoftë ndaj Kukësit, apo çdo skuadre tjetër, ne do të kërkojmë tri pikët. Do të kemi mungesa, por skuadra ka kontingjentin e nevojshëm. Pra, objektivi do të jetë fitorja. Jemi koshientë që do të jetë një ndeshje shumë e fortë, por kam besim te skuadra. Në ndeshjen kundër Skënderbeut ekipi luajti shumë mirë, tregoi grintë në fushën e lojës dhe fitoi ndaj një kundërshtari të fortë. Në fakt, nga ndeshja në ndeshje skuadra po rritet dhe po konsolidohet gjithnjë e më tepër, çka do të thotë se jemi në rrugën e duhur dhe nëse vazhdojmë me këtë ritëm, do t’i arrijmë pa problem objektivat tona. Për fitoren e arritur ndaj Skënderbeut, skuadra mori 8 milionë lekë premio.”