Edmond Hasanbelliu i gëzohet fitores në startin e kampionatit, për më tepër që mundën një rival si Partizani.

Në prononcimin e tij, kreu i klubit durrsak pohoi se e sheh skuadrën më mirë sesa vitin e kaluar, por pret akoma më shumë nga ata.

Ai nuk fshihet, teksa pohon se do të jenë sërish pretendentë për kampionë dhe si rival sheh vetëm ekipin që ai financon.

“Fillimi i mbarë është gjysma e punës, si i thonë. Ne themi se jemi më mirë se vitin që kaloi dhe do të pretendojmë sërish për kampionë. Por, unë pres akoma nga skuadra. Blerjet e reja na duken mirë, lojtari me ngjyrë që hyri në pjesën e dytë, presim shumë nga ai dhe të shohim. Skuadra nuk ka presion sa i përket mbrojtjes së titullit. Rival kemi vetëm veten tonë”, u shpreh Hasanbelliu.

SISTEMI VAR – Hasanbelliu u ngacmua paksa edhe për sistemin VAR, për më tepër që ndaj skuadrës së tij u akordua një penallti, e cila për fatin e tyre të mirë nuk u shfrytëzua nga të kuqtë.

Edhe pse me një vendim kundër, ai e pranoi si të saktë, por gjithsesi e sheh se është shumë shpejt për të dhënë gjykime përfundimtare.

“Të shohim për sistemin VAR, por deri tani ishte mirë. Në këtë ndeshje ashtu u duk sepse penalltia ishte”, përfundoi prononcimin e tij kreu i presidencës durrsake.