Shorti i hedhur ne Nion të Zvicrës nuk ka qenë aspak i kënaqshëm për ekipin e Teutës, durrsakët e Ahmatajs do të përballen me kazakët e Kairat Almaty.

I pakënaqur rreth shortit është dhe numri një i durrsakëve. Edmond Hasanbelliu, presidenti i Teutës e shikon si të palogjikshme që ekipe të Kazakistanit të jenë pjesë e Europës për vetë largësinë që ka nga vendet e tjera të kontinentit.

“Shorti i hedhur në Nion nuk ka qenë i favorshëm për ne duke parë emrat që ka kundërshtari, por ne do të luajmë fort dhe do të provojmë të kalojmë këtë kundërshtar që në ndryshim nga ne ka emra të mëdhenj por që janë në moshë relativisht të madhe, e kundërta ndodh me ekipin tonë që kemi djem të rinj dhe plot energji.

Kam bindje që do t’i përballojmë siç duhet, rinia dhe energjia e djemve do të mposhtë eksperiencën e ekipit të Kairat Almati. Ajo çfarë më bën përshtypje më shumë nuk është emri i kundërshtarit apo lojtarët që ka në përbërje, nuk e shoh të logjikshme që një ekip nga Kazakistani që është në kufi me Kinën e largët të jetë pjesë e kompeticioneve Europiane. Vetëm udhëtimi drejt Kazakistanit është një sfidë më vete, prandaj s’jam i kënaqur me këtë short dhe as me formulën e përdorur nga Uefa”.