Durrës, 24 qershor 2014 – Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, ka rrëfyer për merkaton e bregdetarëve, teksa shprehet se ekipi ka nevojë për përforcime të tjera, duke filluar nga një mbrojtës në krahun e djathtë. Për t’u parë mbetet edhe e ardhmja e sulmuesit senegalez Amadu Samb, i cili përfundimisht të ardhmen do ta vendosë pas datës 10 korrik.
“Deri tani merkato po ecën shumë mirë besoj. Po studiojmë në hollësi çdo lëvizje që bëjmë, në mënyrë që të marrim vendimet e duhura. Kemi afruar disa lojtarë dhe skuadra pak nga pak po merr formë. Po i qëndrojmë strategjisë sonë për t’u mbështetur tek elementët e rinj dhe kjo përligjet edhe me lojtarët që kemi afruar apo që do tentojmë të marrim në ekip.Por merkatoja jonë nuk ka përfunduar, kështu që patjetër që ka emra të tjerë. Nuk dua t’i bëj publik fillimisht, sepse është bërë zakon që, sa herë ne pikasim ose futemi në bisedime me ndonjë futbollist, vërsulen edhe ekipet e tjera. Mund t’ju them vetëm se po avancojmë në bisedime me një lojtarë nga ekipi i Llamkosit në Kosovë. Kemi kohën në favorin tonë për të përcaktuar përfundimisht se ku do të na duhet të ndërhyjmë. Aktualisht kemi nevojë edhe për një mbrojtës në krahun e djathtë, pasi në atë rol kemi vetëm Stafën. Kështu që po shohim mundësinë e afrimit të një lojtari në atë pozicion. Edhe për sulmin kemi pak paqartësi. Samb ka shfaqur dëshirën për të qëndruar ende te Teuta, por ka disa dilema. Kështu më datë 10 korrik ai do i bashkohet skuadrës dhe besoj që bashkë me menaxherin e lojtarit do t’i zgjidhim të gjitha gjërat. Kemi edhe Arbër Çyrbjen, i cili është huazuar te Kukësi vetëm për Kupën UEFA, që momentalisht është i dëmtuar, por besoj se nuk ka ndonjë gjë serioze. Tashmë me një pjesë të lojtarëve zyrtarisht kemi rinovuar dhe me një pjesë tjetër kemi rënë parimisht dakord, ndërsa në ditët në vijim do të ndërmarrim hapat e tjerë të nevojshëm.”,- tha presidenti i Teutës.
Gjithashtu Hasanbelliu komenton edhe merkaton e ekipeve të Superiores, duke e cilësuar atë si shumë të ekzagjeruar për kampionatin shqiptar.
“Nuk është se di imtësisht çdo lëvizje të tyre, pasi jam i përqendruar te merkato e Teutës. Mirëpo, në pamje të parë, mund t’ju them që janë shifra shumë të fryra për kampionatin shqiptar”, – thotë ai.
Teuta është një nga skuadrat më aktive në merkato ndër ato që nuk luajnë në Kupat e Europës. Kështu, drejtuesit e klubit të “djemve të detit” kanë bërë pesë afrime deri më tani. Bëhet fjalë për mbrojtësit Elvis Prençi, Blerim Kotobelli, mesfushorët Klaudio Hyseni dhe Xhevdet Shabani, si edhe sulmuesin Brunild Pepa, të cilët do të jenë pjesë e kësaj skuadre për sezonin e ri futbollistik. Mirëpo, duket se blerjet e durrsakëve nuk do të mbarojnë këtu. Ndërsa drejtuesit e klubit kanë bërë të ditur se do të afrojnë një mbrojtës në krahun e djathtë. Synimi i krerëve është ndërtimi i një skuadre pretendente.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





