Durrës, 16 qershor 2014 – E ardhmja e Ansi Nikës pritet me shumë interes te Teuta. Mesfushori shkodran në katër vitet e tij në Durrës është kthyer në një prej lojtarëve të preferuar të tifozërisë. Pak ditë më parë, vetë lojtari deklaroi se në Shqipëri Teuta mbetet zgjidhja e tij e parë, megjithatë sqaroi se ana financiare është pa dyshim e rëndësishme për të. Ndaj mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me 23-vjeçarin, nëse do të rinovojë apo shkojë diku tjetër.

Është vetë presidenti i “djemve të detit”, Edmond Hasanbelliu, që sqaron situatën e shkodranit, madje deklaron se brenda javës do të zgjidhet kjo çështje.

“Çështja e Ansit besoj do të zgjidhet brenda kësaj jave. Do të ulemi për të biseduar dhe do të shikojmë se çfarë mund të bëhet”, theksoi presidenti Hasanbelliu, i cili më tej sqaroi edhe transferimin e Albi Dostit dhe Arbër Çyrbjas tek ekipi i Kukësit. “Dua të theksoj që Dosti dhe Çyrbja do të jenë tek ekipi i Kukësit vetëm për ndeshjet e Europës. Me të përfunduar këto takime, ata do të rikthehen te Teuta”,- thotë Hasanbelliu.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/