Fitorja kundër Kukësit në ndeshjen e parë të turit çerekfinal të Kupës i ka rritur dozat e optimizmit tek Teuta. Ekipi i drejtuar nga trajneri Magani, edhe pse luajti për më shumë se 20 minuta me një lojtar më pak, arriti të marrë një fitore me vlera kundër Kukësit. “Djemtë e detit” kanë hedhur një hap drejt kualifikimit, por drejtuesit e skuadrës e shikojnë si një fitore minimale dhe gjithçka mbetet e hapur në takimin e kthimit, që do të luhet më 17 shkurt.
Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, tregon merkaton e janarit, si dhe objektivat e skuadrës. Sipas tij, Teuta i ka mundësitë që të sigurojë një biletë për në Kupat e Europës në përfundim të sezonit. “Teuta e ka mbyllur merkaton me tre afrime cilësore, si Kadriu, Lena dhe braziliani Xhonatan. Do të shtoja që janë tri prurje cilësore, të cilat do t’i shërbejnë ekipit në vazhdim. Nga braziliani presim shumë, pasi ka eksperiencë dhe është një lojtar cilësor.
Besoj se javën tjetër do të jetë gati për t’i shërbyer ekipit. Duke parë pozitat ku ndodhemi, duke u renditur të tretët, ne synojmë Kupat e Europës. Ky është një objektiv i ri që ka lindur rrugës, pasi nuk e nisëm sezonin me këtë qëllim. Ecuria pozitive e skuadrës, si dhe pozicioni ku ndodhemi, na bën që të shpresojmë dhe të synojmë një vend për në veprimtaritë europiane të klubeve në verë. Pikërisht për këtë arsye kemi afruar këta tre lojtarë cilësorë në merkaton e janarit. Shpresoj që ata të jenë të gatshëm për skuadrën dhe ta ndihmojnë atë në arritjen e këtij objektivi, i cili siç e theksova vjen pas paraqitjes së skuadrës në pjesën e parë të sezonit.
Për sa i përket ndeshjes së parë të Kupës me Kukësin, mund të them se skuadra u paraqit mirë, edhe pse ka vend për përmirësime. Jam i kënaqur me atë që ekipi dha në fushën e lojës, por është një fitore minimale dhe në ndeshjen e kthimit duhet kujdes e të kualifikohemi. Për kualifikimin unë do ta shpërblej skuadrën me 8 milionë lekë të vjetër. Pra, ne e vlerësojmë maksimalisht këtë kompeticion dhe dua të shkojmë sa më larg”, u shpreh presidenti Hasanbelliu.
I pyetur rreth përballjes së kampionatit me Flamurtarin, që ka ndryshuar shumë në janar, presidenti i Teutës u shpreh: “Nuk shikojmë se çfarë bëjnë kundërshtarët në merkato. Ne kemi strategjinë tonë dhe zhvillojmë lojën tonë. Pastaj se çfarë bëjnë ekipet e tjera janë punët e tyre. Ne duhet të fokusohemi vetëm te loja jonë”.