Drejtuesit e Teutës, kanë rihapur edhe njëherë tjetër merkaton, duke qenë se sulmuesi i ri Napol ende nuk është bashkuar me ekipin edhe pse një gjë e tillë tashmë duhet të kishte ndodhur. Por, drejtuesit durrsak janë në dilemë nëse duhet të mbyllin tratativat me lojtarin belg, i cili është vetëm 20 vjeç. Ndërkohë, klubi vazhdon të jetë në bisedime me një tjetër sulmues emri i të cilit nuk bëhet me dije. Një gjë të tillë e ka bërë me dije vetë presidenti i skuadrës së Teutës, Edmond Hasanbelliu, cili ka folur në lidhje me lëvizjet më të fundit të ekipit të tij.“Merkatoja e Teutës vazhdon të jetë e hapur, pasi po kërkojmë një sulmues dhe të them të drejtën jemi në mëdyshje, sa i takon të riut Napol, i cili është vetëm 20 vjeç. Mosha e tij na bën të frenohemi pak, por dua të konfirmoj se jemi ende në bisedime me të. Gjithsesi, mosha e tij e re nuk na jep shumë siguri që ai të jetë sulmues i parë. Pra, jemi duke kërkuar një lojtar në repartin e avancuar që të ketë eksperiencë”, tha numri një i durrsakëve.

Hasanbelliu bëri me dije se përveç me Napol, vazhdojnë kontaktet me një tjetër sulmues. “Jemi duke biseduar me një sulmues tjetër, por në ditët në vijim do të bëjmë publik edhe emrin e atij, që do t’i bashkohet Teutës”, ishin fjalët e presidentit. Aktualisht durrsakët kanë në përbërje Raboshtën, Maganin dhe Lamçen, por ky repart do të plotësohet edhe me një emër të ri nga merkatoja.Përveçse një sulmues, për të plotësuar të gjithë grupin, klubi kërkon edhe një qendërmbrojtës, por edhe në këtë drejtim nuk ka lëvizje. Ndërsa trajneri Begeja ka afruar në skuadrën e parë disa futbollistë që ishin pjesë e ekipit U-19. Këta të fundit do të kenë mundësinë të tregojnë vlerat e tyre, për të siguruar një vend në skuadrën e parë, konkurrenca është mjaft e madhe. Teuta e sezonit të ardhshëm do të ketë si objektiv renditjen në vendet e para të klasifikimit, për të siguruar një vend në Europë.