Durrës, 24 Nëntor 2014 – Trajneri i Teutës do të jetë tashmë Gentjan Begeja i cili është emëruar në këtë detyrë nga Presidenti i Teutës Edmond Hasabelliu menjëherë pas shkarkimit nga kjo detyrë e trajnerit Hasan Lika. Lika u shkarkua nga presidenti i durrsakëve pas rezultatetve të dobëta që ka arritur Teuta në ndeshjet e fundit e sidomos pas skualifikimit nga kupa e Shqipërisë dhe humbja e fundit në Laç.

Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, ka mbetur shumë i zhgënjyer nga paraqitja e skuadrës ndaj ka marrë edhe këto masa:

“Skualifikimi i parakohshëm nga Kupa e Shqipërisë dhe humbja në Laç janë të pajustifikueshme, si për trainerin Lika ashtu edhe për skuadrën. Duke parë ecurin negative të ekipit përgjatë ndeshjeve të fundit, kemi menduar shkarkimin e teknikut Lika. Jam i zhgënjyer nga eleminimi në kupë dhe sidomos nga humbja në Laç. U detyrova të zbrisja në dhomat e zhveshjes në ndeshjen me Laçin, kur pashë një skuadër të pamotivuar në fushë dhe që nuk reagonte", tregon kreu i klubit durrsak.

Pas shkarkimit të Hasan Likës, presidenti Hasanbelliu ka emëruar Gentian Begenë në krye të pankinës durrsake, i cili do ndihmohet në rolin e zëvendës trainerit nga ish-shoku i skuadrës Markelian Xhai. Ndërkohë në postin e drejtorit teknik do të jetë ish-traineri Ilir Biturku.

"Kemi menduar që në krye të pankinës të vendosim Gentian Begenë, i cili do të ketë si ndihmës trainer Markelian Xhain. Ndërkohë në postin e drejtorit teknik të skuadrës kemi emëruar Ilir Biturkun, i cili gjithashtu do të njihet si trainer i skuadrës, pasi Begeja nuk zotëron diplomën UEFA pro që i jep mundësinë për të drejtuar një skuadër të Superiores. Shpresojmë që me ndryshimet të kemi rezultate të mira dhe të dalim nga kjo situatë", u shpreh presidenti Hasanbelliu.

Presidenti shprehet i pakënaqur me një pjesë të lojtarëve, ndërkohë që ka vendosur edhe sanksione për futbollistët nëse nuk paraqiten mirë:

"Në tërësi jam i pakënaqur thuajse më të gjithë lojtarët, por përgjegjësia bie mbi lojtarët e vjetër, të cilët kosniderohen se mbajnë peshën kryesore në skuadër. Jam i pakënaqur me paraqitjen e mesfushorit Hodo, prej të cilit unë pres më shumë, por ai nuk po e tregon atë, madje po tregon të kundërtën duke u pozicionuar tek lojtarët më të dobët. Shikoj një mosimpenjim të lojtarëve. Kështu kam vendosur që lojtarët, të cilët paguhen një herë në muaj, rrogën do ta marin në këtë lloj forme: gjysmën e rrogës do të marin në fund të muajit, ndërsa pjesën tjetër do të marin çdo javë, në bazë të paraqitjes që do të bëjnë në fushë", përfundoi presidenti Hasanbelliu.

Gentjan Begeja, i cili mer drejtimin e skuadrës pas shkarkimit te teknikut Hasan Lika ka provuar edhe më parë të drejtojë skuadrën e parë të Teutës, ku si për koicidencë, tekniku Begeja ka zvendësuar po teknikun Lika, i cili u shkarkua nga presidenti Hasanbelliu, pas asaj humbje të thellë që skuadra pësoi në Gjirokastër.

/ D.B Agjencia e Lajmeve Dyrrah /