Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, ka komentuar largimet nga ekipi i Teutës.
“Kemi ndërprerë bashkëpunimin me kapitenin Nijas Lena. Gjithashtu, nga klubi janë larguar edhe mbrojtësi i djathtë Arbër Beqja, mesfushori Ardit Shehaj, si dhe sulmuesi Onyeka Osemene. Nga Onyeka të gjithë prisnim shumë, por jemi shumë të zhgënjyer me performancën e tij. Edhe pse ka qenë lojtari më i paguar i klubit, ai asnjëherë nuk e tregoi veten në fushë, madje ishte më i dobëti. Kjo solli që ne të merrnim vendimin për ta larguar përfundimisht”, tha fillimisht presidenti i Teutës.
I pyetur për merkaton dhe repartet ku Teuta do të përforcohet gjatë afatit kalimtar të janarit, presidenti u shpreh:
“Kemi nevojë për një mbrojtës të djathtë dhe një qendër. Pas largimit të Lenës, po kërkojmë edhe një mesfushor për të zëvendësuar ish-kapitenin. Gjithashtu, do të ketë afrime edhe në repartin e sulmit, ku synojmë të sjellim një lojtar cilësor. Për momentin jemi duke negociuar me një qendërmbrojtës maqedonas, por për shkak se marrëveshja nuk është mbyllur, s’është etike të jap emrin”.
TË LARGUARIT- Nijas Lena, Arbër Beqja, Ardit Shehaj dhe Onyeka Osemene janë lojtarët e radhës që ndërpresin bashkëpunimin me drejtuesit e Teutës pas largimit të Albi Dostit dhe Sunday Abe. Nga lojtarët e larguar, vetëm Lena ishte titullar i padiskutueshëm në formacionin e Maganit. Deri më tani, 31-vjeçari ka grumbulluar 15 ndeshje me “djemtë e detit”, të gjitha si titullar nga 16 në total në Kategorinë Superiore, ku ka shënuar edhe dy gola.





