Edmond Hasanbelliu është i shqetësuar për atë që po ndodh me gjykimin. Presidenti i Teutës jep alarmin për një situatë ku arbitrat po ndikojnë me dashje. “Situata është e rëndë, arbitrat janë bërë shumë të fortë. Madje tani po konstatojmë edhe gjyqtarë që bëjnë gabime me dashje pa iu trembur syri. Për mua shumica e tyre janë maskarenj, të cilët po tallen me investimet e klubeve”, thekson kreu i klubit durrsak.

Ai bën të ditur se ka qenë ndër të parët që ka ngritur zërin për rritjen e pagave të gjyqtarëve. “Unë kam qenë i pari që kam kërkuar rritjen e pagës së arbitrave, në mënyrë që të minimizohet korrupsioni. Kam ngulur këmbë për këtë dhe u miratua që gjyqtarët kryesorë të marrin nga 450 mijë lekë të vjetër për ndeshje. Megjithatë, në këtë situatë, si unë dhe kolegët e mi kanë faj në këtë mes. Ka ardhur një kohë që kemi frikë nga vendimet e arbitrave, madje jemi në një pikë që i kërkojmë Federatës që të na sjellë një gjyqtar për të na mbajtur ndeshjet drejt dhe kjo nuk ndodh. Na ka hyrë frika se mos biem nga kategoria prej arbitrave. Në Durrës është gjithnjë ‘fair-play’ dhe askush nuk ka probleme kur luan ndaj Teutës. Jam shumë i zhgënjyer me atë që po ndodh”, është shprehur Hasanbelliu.

Më tej, presidenti durrsak zbulon edhe kërkesën që i kishte bërë FSHF-së për ndeshjen e fundit. “Disa ditë para ndeshjes me Kukësin bëmë kërkesë në FSHF për gjyqtar të huaj dhe nuk na e miratuan me argumentin se jemi të vonuar. Është vërtet situatë shqetësuese”, thotë kreu i klubit.Hasanbelliu mendon se ka ardhur koha që FSHF të rikthejë shortin për arbitrat para ndeshjeve. Sipas tij, kjo mënyrë do të shmangte edhe paragjykimet, por gjithashtu ndërhyrjet e presidentëve për të ndikuar te gjyqtarët. “Të rikthehet shorti para ndeshjeve, në mënyrë që kolegët tanë të mos ndikojnë tek arbitrat.

FSHF të sjellë dy-tri alternativa për çdo ndeshje dhe kryesori të mësohet pas hedhjes së shortit. Kështu shmangen edhe paragjykimet”, bën të ditur kreu i klubit durrsak, i cili në fund theksoi se është koha që klubet të bëhen bashkë për të krijuar ligën. “Për mua, duhet të mblidhemi patjetër dhe tjetër të krijojmë Ligën Profesioniste. Kemi bërë disa diskutime me zv.presidentin Edvin Libohova, të shohim se çfarë do të bëhet”.