DURRES – Teuta nuk do të qëndrojë indiferente në këtë merkato dimri, përkundrazi, do të bëjë disa përforcime. Momentalisht, sipas presidentit të Teutës, Edmond Hasanbelliu, skuadra ka nevojë për përforcime në dy reparte: mesfushë dhe sulm. Në një bisedë për “Panorama Sport”, numri një i presidencës durrsake, Hasanbelliu, pohoi se në ditët në vijim do të ketë lëvizje, por pa bërë të ditur emra konkretë.
“Kemi menduar që gjatë ditëve në vijim të bëjmë disa afrime. Momentalisht të domosdoshëm dhe që kanë nevojë për përforcim janë reparti i sulmit dhe ai i mesfushës, të cilët nuk kanë shfaqur nivelin e kërkuar”, – u shpreh fillimisht presidenti, ndërsa shtoi se stafi teknik dhe ai personalisht po punojnë intensivisht në merkato për gjetjen e një mesfushori dhe një sulmuesi të mirë filltë.
Sipas presidentit Hasanbelliu, për ta përforcuar skuadrën stafi teknik do të përqendrohet edhe te lojtarët që do të vijnë për provë në Durrës. “Një mundësi e mirë për ta përforcuar skuadrën është afrimi i lojtarëve që do të vijnë në Durrës për t’u provuar. Stafi teknik dhe trajneri, të cilët do të punojnë me ta, do të përpiqen që të zbulojnë ndonjë lojtar. Gjithashtu, gjatë kësaj kohë do të punojmë intensivisht për të bërë edhe blerje të tjera”, – deklaroi Hasanbelliu.
Ndërsa, i pyetur në lidhje me ndonjë emër apo preferencë të tij lidhur me merkaton, ai u përgjigj: “Nuk është se kemi një ide të qartë se cilët mund të jenë lojtarët që do t’i bashkohen apo largohen gjatë merkatos, por do të bëjmë më të mirën për të ndërtuar një skuadër të denjë për të zhvilluar një sezon të kënaqshëm. Do të mundohemi të krijojmë një skuadër të fortë, por me bazën që është aktualisht. Deri në mbyllje të merkatos kemi mjaftueshëm kohë, ndaj nuk po kërkojmë të nxitohemi”, – përfundoi Hasanbelliu.
Në stërvitje, mungon vetëm Da Silva
Nën drejtimin e teknikut Gentian Begeja dhe përgatitësit atletik, Eduart Salillari, skuadra vijoi me përgatitjet intensive me dy seanca stërvitore në ditë. Në kampin durrsak janë të qetë dhe të sigurt se do të kenë një ecuri pozitive, ndërsa lojtarët premtojnë se skuadra do të kthehet më e fortë se ajo e fazës së parë. Ekipi thuajse ka qenë i plotë, përveç brazilianit Da Silva, i cili u largua drejt vendit të tij për festat e fundvitit. Ndërkaq, pritet që ditët e ardhshme grupi të shtohet ndjeshëm, për shkak të lojtarëve që do të provohen te Teuta. Kjo e fundit tashmë e ka kthyer në traditë hapjen e dyerve, duke u dhënë mundësi dhjetëra lojtarëve që të shfaqin aftësitë e tyre.