Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka vijuar turin rajonal, ndërsa sot u prit në Mal të Zi nga homologu Filip Ivanović. Dy ministrat e vendosën fokusin në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si edhe perspektivën për integrimin në Bashkimin Europian.
Në fokus të takimit kanë qenë edhe projektet infrastrukturore mes dy vendeve. Ministri Hasani u ndal te projekti për urën mbi lumin Bunë, duke theksuar se do nxisë zhvillimin për dy vendet, ndërsa prioritet mbetet ndërtimi i Autostradës Adriatiko-Joniane
“Një nga projektet më të rëndësishme, siç e përmendi dhe ministri Ivanović është padyshim ndërtimi i urës mbi lumin Buna, një projekt që do të nxisë perspektivën e zhvillimit në të dy vendet tona dhe do t’i shërbejë integrimit rajonal dhe qarkullimit më të mirë të mallrave.
Po tek infrastruktura, vendet tona mbeten të angazhuara për ndërtimin e Autostradës Adriatiko-Joniane, e cila duhet të mbetet një nga prioritetet tona strategjike, sepse lidh Europën Qendrore me bregdetin Adriatiko-Jonian duke sjellë kësisoj një transformim të perspektivës ekonomike të mbarë rajonit”, tha Hasani.
Dy ministrat thanë se është detyrim i përbashkët që të punojnë më shumë për të çuar përpara bashkëpunim rajonal. Në konferencën për mediat, Hasani gjithashtu tha se në fokus mbetet zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjen e dytë të përbashkët të dy qeverive.
“Me kolegun Ivanoviç ne patëm mundësinë të bisedojmë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, ku pjesë thelbësore e diskutimit tonë ishte zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara së fundmi, në mbledhjen e dytë të përbashkët të dy qeverive. E kam fjalën këtu për marrëveshjet për hapjen e pikave të reja kufitare, rritjen e investimeve dhe projekteve në zonat ndërkufitare, me një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies së këtyre zonave, të transportit rrugor, ujor e hekurudhor, me fokus përfshirjen në korridoret evropiane”, u shpreh Hasani.