DURRËS, 5 nëntor 2014 – Barazimi i pabesueshëm në “Emirates” përballë Arsenalit i rrit edhe më shumë bonuset e trajnerit shqiptar, Besnik Hasi në stolin e Anderlechtit. Ish mesfushori i Kombëtares Shqiptare analizon sfidën e çmendur të Londrës ku skuadra e tij arriti të merrte një pikë që e mban ende në garë për një vend në fazën tjetër të UEFA Champions League.

“Në pushimin e ndeshjes u thashë lojtarëve të këmbëngulnin më shumë dhe pas golit tonë të parë na u krijuan shumë hapësira. Falënderoj tifozët që na mbështetën edhe pas tre golave të parë. Lojtarët e mi hynë në ritmin e ndeshjes pikërisht për shkak të mbështetjes që pakushtëzuar që morën nga tifozët”.  Hasi nuk ka një përgjigje të saktë për atë që ndodhi në këtë sfidë me dy fytyra të ndryshme.  “Nuk di të them se çfarë ndodhi. Ndoshta Arsenali kërkonte të argëtonte publikun, nuk e di. Gjithsesi, unë jam shumë i kënaqur me atë që ekipi im tregoi në fushë. Jam gjithashtu shumë krenar sepse kjo është një skuadër e re me të ardhme përpara. Në momentin më të vështirë treguam karakter dhe cilësi”.  Në vijim, tekniku shqiptar analizon ecurinë e ekipit të tij deri në këtë fazë të UEFA Champions League.  “Kur mësuam fillimisht kundërshtarët menduam se vendi i tretë mund të ishte një objektiv i arritshëm por tani arrij ta kuptoj se kemi bërë një rrugë të gjatë. E vetmja ndeshje në të cilën merituam humbjen është ajo kundër Borussias së Dortmundit, ndërsa tre të tjerat mund t’i kishim fituar”. Në krahun tjetër, Venger përgëzoi Anderlechtin për shpirtin e garës që tregoi duke theksuar se nuk u dorëzua deri në minutën e fundit. Ai kritikoi mbrojtjen e Arsenalit duke theksuar se ky barazim është zhgënjyes edhe pse 4 pikë në dy ndeshje ndaj belgëve nuk është një arritje e vogël. Hasi ka deklaruar se Arsenal e ka trajtuar skuadrën e tij si një ekip të dorës së dytë dhe për më tepër trajneri Arsen Venger nuk ia ka dhënë dorën atij në përfundim të ndeshjes. “Nuk më intereson nëse Venger s’ma dha dorën”, ka deklaruar trajneri gjakovar në përfundim të ndeshjes. Hasi ka shpjeguar edhe mendësinë e skuadrës së tij në një ndeshje të tillë.”