TIRANE – "Nuk e kam plagosur unë djalin e Tafilëve". Ish-shefi i Krimeve, Prel Pjetrushi rrëfen për "Gazeta SHqiptare " nga Shtetet e Bashkuara se nuk ka lidhje me atentatin në Suedi ndaj të miturit 12-vjeçar. Pjetrushi gjendet në SHBA prej vitit 2002 ku iku pas plagosjes dhe përplasjes që pati me "hasmët" e tij, Tafilët. Pje-trushi rrëfen në mënyrë kronologjike historinë e konfliktit që lindi pas operacionit të policisë në gusht 2000, ku mbeti i vrarë drejtori i policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari dhe i ati i Admir Tafilit, Bahri Tafili.
Z.Pjetrushi, prej sa kohësh ju dhe familja juaj jeni vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Çfarë statusi gëzoni ju, atë të azilantit apo emigrantit ekonomik, dhe si e siguroni jetesën?
Në SHBA kam mbërritur në dhjetor të 2002-shit. Kam mbërritur si azilkërkues, pas një atentati që më ka ndodh në Shqipëri. Aktualisht jam nënshtetas amerikan. Kam një kompani ndërtimi dhe prej asaj kohe punoj dhe jetoj bashkë me familjen.
Intervista me ju merr shkas nga ngjarja e fundit e ndodhur në Suedi, ku nipi i mitur i Genci dhe Admir Tafilit, dy persona jo të panjohur për ju, është tentuar të vritet në vendin ku qëndron si azilant. Familja Tafili drejton ndaj jush gishtin, duke ju akuzuar si përgjegjës. Pyetja është e drejtpërdrejtë: A keni ju, z.Pjetrushi, lidhje direkte apo indirekte me krimin e rëndë?
Është intervista e parë që jap që nga largimi nga Shqipëria. Dëshiroj t'ia fillojmë që nga dita që unë akuzohem për një operacion policie, ku mbeti i vrarë drejtori i policisë, Arben Zylyftari dhe një person i shumëkërkuar, Bahri Tafili.
Pastaj ngjarjet kanë rrjedhur njëra pas tjetrës dhe në fund do t'i përgjigjem kësaj pyetjeje.
Zanafilla e sagës së gjakmarrjes mes familjes suaj dhe asaj Tafili, është ngjarja e 2 gushtit 2000, ku gjatë një aksioni për kapjen e të kërkuarit Bahri Tafili, mbeti i vrarë Arben Zylyftari, drejtor i policisë së Qarkut Shkodër, dhe Bahri Tafili. Si një nga funksionarët e lartë të policisë së Shkodrës atë kohë, a mund të na tregoni se çfarë ndodhi atë ditë?
Dua të sqaroj operacionin me detaje, opinionin publik, si dhe familjen e Arben Zylyftarit, nëse ka ndonjë merak. Në atë kohë, në gusht të 2000-shit kam qenë komandant i policisë kriminale. Në atë kohë, vetë drejtori i policisë, Arben Zylyftari më pati ngarkuar dhe një detyrë tjetër, si komandant i grupeve të gatshme. Një javë para ngjarjes, kemi pas sinjalizim në komisariatin e policisë nga disa qytetarë të Shirokës dhe Kirasit, si po vidheshin gjatë periudhës së natës, si po vidhnin rrjeta dhe peshk në liqenin e Shkodrës. Emrat ishin konkretë. Akuzonin me emër Bahri Tafilin dhe djemtë e tij. E kemi diskutuar bashkë me drejtorin e policisë, meqë Bahri Tafili ishte dënuar me 22 vjet për gjobvënie dhe vrasje. Kemi organizuar një plan masash me detaje. Kam dërguar tre agjentë në bregun e Liqenit për t'i kapur në flagrancë. Atë ditë kemi qenë bashkë me drejtorin dhe prisnim informacione nga terreni. Drejtorin e mori një koleg për drekë në Shirokë. Më tha, "nëse ke emergjencë, më merr në telefon". Një orë më vonë, më kanë marrë agjentët dhe më kanë thënë, "objekti që kemi nën vëzhgim ka hyrë në banesë". Jemi nisur drejt banesës së Bahri Tafilit. Kemi qenë tri grupe të gatshme. Unë kam qenë në makinën e parë, pas meje kanë qenë katër mikrobusë. Kemi rrethuar banesën dhe unë kam hyrë brenda i pari. Në këtë kohë kanë qenë dy gra jashtë, duke larë rroba. Kemi hyrë direkt në dhomë të gjumit, ku gjetëm një automatik dhe një pistoletë. Jemi nis drejt tualetit, që ishte me shkallë, dhe përmes tyre janë larguar. Një agjent i policisë kriminale është gjetur në tarracë dhe menjëherë atje është qëlluar me breshëri arme.
Kur u bë rrethimi i parë, kam marrë drejtorin e policisë dhe i kam thënë, "kërkoj Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, se kemi rrethu banesën e objektit". FNSH-të nuk vareshin nga unë apo drejtori, por nga ministria. Kjo ka qenë biseda e fundit që kam bërë me drejtorin e policisë. Pastaj më ka thënë "mbaje në rrethim". Nuk më ka thënë që, "do vij në operacion".
Kur kanë ardhur forcat, unë kam qenë në banesën e Tafilit. Gratë po bërtisnin, dhe kam dhënë urdhër të futeshin në një dhomë për arsye sigurie, derisa të mbante operacioni, se kishte shkëmbim zjarri. Pas 20 minutash, kam dëgjuar shoqëruesit e drejtorit, që ka thirr sallën operative, që ka thënë "kërkoj urgjent ambulancën". Më tha "është plagos drejtori i policisë". Menjëherë kemi shkuar në vendngjarje, unë dhe komandanti i rendit. Arben Zylyftari ka mbërrit me FNSH-të dhe ka bërë rrethimin tjetër në krejt lagjen. Ne nuk e dinim se ku është objekti, Bahri Tafili. Ne dinim se ishte në tarracë. Por ai ishte larguar bashkë me të birin dy shtëpi më matanë dhe ishin futur në një kasolle kali në fund të lagjes. Përballë kasolles ka qenë një makinë me zhavorr dhe aty kishte hipur drejtori bashkë me shtatë forca policie. Kishin hipur sipër grumbullit, në një distancë 15 metra nga kasollja, drejtpërdrejt me dritaren e kasolles. Ato kanë gjuajtur direkt nga dritarja për të çarë rrethimin për të ikur nga bregu i liqenit. Kur shkuam t'i jepnin ndihmën e parë drejtorit, hapën breshëri në drejtim të mikrobusit ku ishim ne. Kam veshur antiplumbin hipur në mikrobus dhe kam shkuar të merrja drejtorin. Më tha "Prel, më vranë", "Prel, më vranë". Më la radion. I thashë "s'ke asgjë". E morën tre vetë, e kemi nisur urgjent në spital. Unë kam mbetur në drejtim të operacionit. Ka vazhduar shkëmbimi i zjarrit për rreth një orë. Kam kërkuar shefin e armatimit, që të më dërgonin municion të rëndë, si kundratank. Pas një ore, kanë thënë nga kasollja, "nuk dorëzohemi". Aty është vrarë Bahri Tafili, në derën e kasolles. Pak më vonë më thanë se drejtori ndërroi jetë. Ministri i Brendshëm më ka marrë në telefon, më tha "na prit te ndërhyrja e shpejtë", pasi atje kishte një tip piste për helikopterët. Në Shkodër erdhën, Ilir Meta, kryeministri dhe ish-ministri i Brendshëm, Spartak Poçi, dhe jemi ulur në zyrën e drejtorit. Kemi diskutuar çdo detaj lidhur me ngjarjen.
E ka zbardhur ndonjëherë Policia e Shtetit se kush nga efektivët e policisë e vrau Bahri Tafilin, pasi për vrasjen e Zylyftarit ka tashmë një të dënuar, ai është Genc Tafili?
Plumbi që ka vrarë Arben Zylyftarin ka qenë rikoshet, në telat e dritares së kasolles. Plumbi e ka kapur në zemër Arben Zylyftarin. Ka qenë plumb rikoshet. Mbasi është bërë ekspertimi balistik i armëve, – është bërë dy herë, në Shqipëri dhe jashtë shtetit, – nga ekspertiza rezultoi se arma që ka nxjerrë këtë plumb që ishte në zemrën e drejtorit Arben Zylyftari, ishte e Bahri Tafilit. Kjo është e vërtetuar nga tri ekspertiza. Nuk është zbardhur vrasja e Bahri Tafilit. Në operacion kanë qenë mbi 150 policë. Nuk ka dalë kurrë asnjë emër i veçantë për vrasjen e Bahri Tafilit.
Në 2001-shin, ju mbanit postin e shefit të komisariatit në Malësinë e Madhe, kur Admir Tafili tentoi t'ju vriste në shenjë hakmarrjeje, pasi ju jeni njeriu që konsideron përgjegjës për vrasjen e babait të tij, Bahri Tafili. A po vuani ju dhe familja juaj "haraçet" e detyrës shtetërore?
Tre muaj pas ngjarjes së 2 gushtit 2000, jam transferuar në detyrën e shefit të krimeve në Malësi të Madhe. Më 21 dhjetor, rreth orës 19.00, në afërsi të shtëpisë sime, më është bërë atentat. Dy makina më ndoqën. Qëlluan me armë në drejtim të makinës sime, ku mora 9 plumba në trup. I plagosur kam shkuar në shtëpinë e prindërve. Më kanë dërguar në spital. Jam kthyer pas disa javësh në punë dhe kam arritur përmes informatorëve, të mësoj se atentatin ndaj meje e kishte organizuar Admir Tafili.
U duk sikur për disa kohë, përplasjet mes dy familjeve tuaja u shuan. Arratisja e Admir Tafilit, në tetor të 2010-ës, nga burgu i Lezhës, u hapi rrugë dhe ngjarjeve të rënda kriminale. Z.Pjetrushi, gjatë kohës që Admir Tafili jetonte në arrati, a keni pasur kontakte me të dhe cilat kanë qenë kërkesat e tij? Po reagimi juaj cili ishte?
Pas plagosjes, Admir Tafili ka sjellë në shtëpinë time 15 burra bashkë me Emin Spahinë, i cili ishte kryetar i pajtimit të gjaqeve, duke më akuzuar se, "më ke vrarë babën", pasi më qëlloi mua si cub, sikur të ishte hajdut. Më ka dërguar pleqtë në shtëpi, të gjithë bajraktarët. Ata kanë ardhur dhe kanë takuar babanë dhe i kanë thënë që "na ka dërguar Admir Tafili", që më akuzonte mua se i kam vra babain. Unë i kam thënë babait se, "edhe pse jam zyrtar policie, jam malësor dhe jam i gatshëm të përgjigjem për këtë ngjarje, me i bë be, sipas Kanunit dhe zakonit, se ditën që është vrarë Bahri Tafili s'kam pas armë kashallnikov, vetëm armën e brezit. U kam thënë pleqve se nuk ia kam vra babën dhe caktuam datën me bë benë, sipas Kanunit, që s'kisha gisht në ngjarje. U la me u bë be, por pesë ditë para ditës së pestë, i solli prapë njerëzit në shtëpi dhe më tha "nuk e dua benë, pasi e di që s'ma ke vrarë babën, por ke dhënë urdhër". U thashë "më denonconi dhe le ta zbardhë prokuroria". Më ka ardhur prapë ai i pajtimit të gjaqeve dhe më tha, "a ta bëjnë dhe një pleqni?" Unë flas me prova. Emrat e pleqve janë në prokurori. Mund t'i verifikoni. Më pas Admir Tafili u arrestua. Në nëntor 2002, më ka marrë një person shumë i rrezikshëm nga Burgu 313 dhe më ka thënë "don të flasë me ty Admir Tafili". Pas gjysmë orë më ka marrë Tafili. Më tha, "më fal që të kam marrë më qafë, jam i gëzuar që ke shpëtu. Por Sokol Koçiu bashkë me një shok nga Shkodra, që tashmë nuk jeton më, i kanë mbush mendjen Gencit se ti na ke vra babën. Prandaj të kërkoj falje". Më ka kërkuar falje pesë herë. E dimë fort mirë ne të dy se çfarë kemi biseduar.
Të vijmë tek një tjetër ngjarje shumë e rëndë kriminale. Më 18 mars 2011, Admir Tafili qëlloi për vdekje dy vëllezërit tuaj, Nik e Gjovalin Pjetrushi, sërish, sikurse deklaron ai, në shenjë hakmarrjeje ndaj vrasjes së babait. Ju kishte paralajmëruar Admir Tafili për ngjarje të tilla?
Në 2002-shin jemi ndarë krejt mirë në telefon. Ka qenë biseda e parë dhe e fundit me Admir Tafilin. Pasi doli nga burgu dhe vrau vëllezërit e mi, jam ndjerë krejt i befasuar. Jam i shokuar nga një ngjarje e tillë. Për ta vërtetuar një gjë të tillë, që s'kam pasur kontakte me Admir Tafilin gjatë kohës në arrati, u kam dorëzuar tabulatet e telefonit. U kam thënë hetuesve se, nëse vërtetojnë se kam pas kontakt me Admir Tafilin, i kam falë gjakun e dy vëllezërve.
A mendoni se ka ndonjë person apo grup personash që interesohet që konflikti mes familjeve tuaja të zgjasë?
Unë kam kryer detyrën e shtetit konform ligjit. Kurrë s'kemi pasur konflikte me ligjin.
Ai i ka hapur këto probleme, ai e di kë ka marrë më qafë. Çfarë faji kishin vëllezërit e mi?! Faji i tyre ishte vetëm që ishin vëllezërit e mi. Të më vriste mua, jo vëllezërit e mi, që nuk kanë asnjë faj. Jam i gatshëm t'i bëj prapë be që s'ia kam vrarë babain. Për asgjë tjetër nuk bëj pleqni me ta.
A keni bërë ju apo familja juaj ndonjë apel tek strukturat shtetërore për t'i dhënë fund kësaj historie dhe a ka pasur reagim prej tyre?
Nga strukturat shtetërore nuk ka pasur asnjë reagim prej tyre, përveç ditës së ngjarjes (ditën e vrasjes së Zylyftarit).
Të rikthemi sërish në fillim. Keni lidhje me ngjarjen e ndodhur në Suedi?
Atë ngjarje për çfarë më pyet, e kam marrë vesh nga mediat. Aty nuk dihet çfarë ka ndodhur. Policia mban çdo gjë sekrete. Sot, në rast se i ndiqni ju ato media, sepse dua t'i dal zot familjes, sot dalin ndryshe gjërat. Sot që objekt i sulmit ka qenë babai i të dëmtuarit dhe jo i dëmtuari.
Unë ju garantoj se si Prelë Pjetrushi nuk kam qenë. Një motiv është për nazistët, një për hakmarrje. Nëse del motivi për hakmarrje, ai nuk ka probleme vetëm me mua, por me shumë persona.
Kur do t'i vijë fundi kësaj historie të tejzgjatur dhe të dhimbshme? Kush duhet ta ndërmarrë hapin për të pasur një pajtim?
Unë nuk kam lidhje me atë ngjarje. Kur të dalë policia suedeze me një version, jam i detyruar të flas për këtë ngjarje. Publikisht po ju them që fisi dhe familja e Prelë Pjetrushit, nuk shkon kurrë në Suedi të vrasë gra e fëmijë. Nëse fisi im do ketë gisht, do ta pranojmë publikisht.
“Hasmi” i Tafilëve: Fisi im nuk shkon në Suedi të vrasë gra e fëmijë- VIDEO
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit
Sako: Akademia TALGA forcon profesionalizmin dhe qeverisjen vendore
Rama për Berishën: Mishëron rrezatimin negativ, komunisti ultrafanatik u kthye në…
“Reagimi do jetë shkatërrues”, Rutte: Ukraina do të jetë vija e parë e mbrojtjes
Greqia forcon ushtrinë, anija e fuqishme “Kimon” valëvit flamurin në shërbim të forcave detare





