Piktori durrsak Haxhi Tila hapi javën e kaluar ekspozitën e tij të katërt personale. “Larmi” titullohej ekspozita e Tilës dhe vërtet mes 100 punimeve të prezantuara në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” gjeje jo vetëm larmi tematikash, por edhe larmi për periudhën se kur ishin realizuar tablotë e tij.

Kjo ekspozitë personale e tij vjen në kuadër të 100 vjetorin të pavarësisë, pas dy të tjerave të hapura nga Haxhi Tila në Durrës dhe një në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, në qershor të 2005-ës. Në këtë ekspozitë piktori paraqitet i plotë dhe i konsoliduar. Në tërësinë e saj kjo ekspozitë përmban punime që nga krijimtaria e hershme (vitet ’80), duke i dhënë asaj karakter retrospektiv, por gjithashtu gjenden edhe punë të reja të realizuara kohët e fundit. Kjo shtrirje në kohë të jep mundësinë që të bësh një analizë të shkurtër të krijimtarisë së piktorit Haxhi Tila, krijimtari që ndahet në tre faza, të ndërthurura me njëra-tjetrën; realiste, impresioniste dhe ekspresioniste moderniste. 

Përmes punimeve të ekspozuara në galeri shpalosen përpjekjet e Haxhi Tilës për të gjetur vetveten nëpërmjet rrymave e teknikave të ndryshme. Këto përpjekje duket se kanë dhënë rezultatet e tyre, pasi shumë nga tablotë pasqyrojnë shpirtin artistik të piktorit durrsak. Përsa i përket teknikës vërejmë se në këtë ekspozitë artisti preferon pikturën e kavaletit. Gjithashtu ai ka lëvruar edhe në teknikën e grafikës dhe të artit aplikativ.

Në përgjithësi pjesa më e madhe e tablove ishte në gjininë e peisazhit, por nuk mungonin edhe natyrat e qeta, apo kompozimet me tematikë nga vendlindja e tij, Durrësi. Nga duart e Tilës kanë dalë rreth 300 punime, një pjesë e të cilave ndodhen në koleksione brenda dhe jashtë vendit.

Fazat e pikturës së Tilës

Në fazën e tij të parë Haxhi Tila ka lëvruar përgjithësisht artin realist. Karakteristikë e punimeve të asaj kohe janë nuancat e artit naivist (H.Rousseau). Këto punime, kryesisht peisazhe me motive nga fshati dhe pamje nga deti, i përshkon një ndjenjë sinqeriteti dhe dëshira për të mbyllur kuadratin me të gjitha detajet.

Pjesa më e madhe e tablove ishte në gjininë e peisazhit, por nuk mungonin edhe natyrat e qeta, apo kompozimet me tematikë nga vendlindja e tij, Durrësi. Nga duart e Tilës kanë dalë rreth 300 punime, një pjesë e të cilave ndodhen në koleksione brenda dhe jashtë vendit

Në fazën e dytë të krijimtarisë së tij Tila duket se është tërhequr nga ndikimet impresioniste. Këto ndikime janë më të prekshme në ciklin e peisazheve nga deti dhe perëndimin e diellit në disa variante pa lënë pa përmendur edhe momentet e mëngjesit dhe mesditës në det, e shprehur kjo në kohë të ndryshme. Mëngjesi, mesdita dhe perëndimi i diellit, të pasqyruara këto përmes reflekseve dhe ngjyrave të forta, të tërheqin vëmendjen dhe të shtyjnë që të marrësh njërën prej tyre dhe ta vendosësh në ambientin tënd familjar.

Ndërkohë në fazën e tretë të krijimtarisë piktura e Tilës anon drejt asaj Ekspresioniste Moderniste. Në këto tablo bie në sy loja e piktorit me shpatull duke e kombinuar atë me efekte koloristike formaliste. Në këto piktura përballesh me një simbolikë të shprehur me shenja personale, duke arritur në konkluzionin  se piktura e Haxhiut ka ngjyrë, sens, simbolikë, ajër, prespektivë. Mbi të gjitha nuk është e rastësishme.

Këto piktura kanë brenda tyre ide dhe kurajo. Përpara saj impresionohesh dhe ndjen respekt si për punën ashtu dhe për artistin. Piktorin Haxhi Tila e karakterizon një pasion e përkushtim, të cilin rrallë herë e has.

Kush është Haxhi Tila

Haxhi Tila u lind në Durrës më 19.10.1950. Që në moshën e rinisë piktori Haxhi Tila ka shfaqur shenjat e para të talentit. Shpirti i tij artistik është zbuluar së pari nga mësuesi i tij, piktori i njohur Gavril Priftuli, i cili i ka dhënë mësim, lëndën e vizatimit në shkollën “7 nëntori” në Durrës. Në një konkurs të zhvilluar në atë kohë me nxënës të shkollës 8-vjeçare, një punim i Haxhi Tilës përzgjidhet ndër tre më të mirët. Më vonë në njohjen e tij me piktorin tjetër të mirënjohur Zef Ujka, i cili ishte dhe skenograf  i qytetit, Haxhiut iu zhvillua pasioni i tij për pikturën. Falë ndihmës dhe inkurajimit të dhënë nga ana e Zefit, Haxhiu iu përkushtua artit me gjithë forcën dhe vullnetin që e karakterizon deri në ditët e sotme. Zefi i thoshte se kishte talent, por këtij talenti i duhej punë që të ecte përpara. Prej të ndjerit Zef Ujka, Haxhi Tila mësoi jo vetëm anën profesionale të artit figurativ, por edhe kulturën e përgjithshme mbi artin dhe historinë e tij. Shtojmë këtu edhe njohjen me piktorë të tjerë si Skënder Kokobobo, Nikolet Vasia, Ilia Rota, skulptorin Nelo Lukaci etj. Këta artistë të njohur kanë ndikuar në formimin e Haxhiut si artist. “Vizitat e shpeshta nëpër studiot e tyre dhe diskutimet mbi artin ishin më shumë se shkolla që kam bërë”,- shprehet Haxhi Tila.