Numri i aksidenteve me vdekshmëri në Shqipëri është ulur me 20 %. Kështu bëri me dije ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto gjatë konferencës “Standardet e Sigurisë Rrugore në Bashkimin Europian, pikë referimi për Shqipërinë”, sipas së cilit, ky ka qenë objektivi i qeverisë që kur ka ardhur në pushtet.
Haxhinasto foli edhe për çështjet e gjobave dhe të sigurisë në rrugë, duke i cilësuar rrugët si aset kombëtar, si edhe për investimet në infrastrukturë dhe në sinjalistikën rrugore.
Ai tha se deri tani janë investuar 30 milionë dollarë, ndërsa në 5 vitet e ardhshme do të investohen rreth 150 milionë dollarë.
“Investimet duhet të ishin më të larta dhe në mënyrë të vazhdueshme. Janë realizuar 30 milionë dollarë për sinjalistikë, për sigurinë rrugore dhe do të investohen gjatë 5 viteve të ardhshme rreth 150 milionë dollarë. Kjo do të sjellë një standard të rëndësishëm të rrjetit kryesor të rrugëve tona”, u shpreh ministri.





