Tirana i kërkoi Romës edhe liberalizimin e lejeve ndërkombëtare të transportit të mallrave

Të dy ministrat ranë dakord për ngritjen e një komisioni të përbashkët italo-shqiptar, brenda 90 ditësh, për të konkretizuar në një marrëveshje zgjidhjen e problematikave dhe për të vendosur piketat e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e transportit dhe infrastrukturës

DURRËS, 14 shkurt 2014 –  Heqja e taksës fikse për transportuesit shqiptarë, liberalizimi i shërbimeve të transportit dhe angazhimi i Italisë në projektet madhore të infrastrukturës në Shqipëri, ishin çështjet kryesore të takimit që zhvilloi më 13 shkurt 2014 gjatë një vizitë pune njëditore në Romë Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto me homologun italian Mauricio (Maurizio) Lupi, njoftoi zyra e shtypit e këtij dikasteri. Natyrisht, zhbllokimi i një gurçi 24-vjeçar midis dy vendeve, është i mirëpritur nga transportuesit shqiptarë.

Si çështjet kryesore, Haxhinastoja nënvijëzoi atë të heqjes së taksave për transportuesit shqiptar të mallrave, duke cilësuar se përfitimet e përbashkëta nga rritja e volumeve do të jenë në gjendje të kalojnë çfarëdo pengesë. “Do të kërkoja që kjo masë të konsiderohet në mënyrë shumë serioze, për të ndihmuar sektorin e transportit tokësor të mallrave. Një sektor ky shumë i rëndësishëm për ekonominë shqiptare”. Gjithashtu kreu i dikasterit shqiptar kërkoi, në kuadër  të integrimit të shërbimeve tona të transportit, që në fokus të jetë edhe liberalizimi i mëtejshëm i lejeve ndërkombëtare të transportit të mallrave. Ministri paraqiti objektivin e qeverisë për rigjallërimin e transportit hekurudhor, duke theksuar si prioritare lidhjen me Maqedoninë, segmentin Tiranë-Rinas-Durrës dhe përmirësimin e lidhjeve në porte. Ai tha se përfshirja e aktorëve privatë italianë do të ishte e mirëpritur. Po ashtu, Haxhinastoja solli në vëmendjen e homologut italian prioritetin e qeverisë për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës portuale shqiptare. Edhe Ministri italian Lupi nga ana e tij vuri në dukje marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe se Italia e konsideron Shqipërinë një partner të rëndësishëm. Lupi shprehu gatishmërinë e Italisë për përfshirjen në realizimin e prioriteteve infrastrukturore të Shqipërisë. Të dy ministrat ranë dakord për ngritjen e një komisioni të përbashkët italo-shqiptar, brenda 90 ditësh, për të konkretizuar në një marrëveshje zgjidhjen e problematikave dhe për të vendosur piketat e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e transportit dhe infrastrukturës.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/