DURRËS, 18 shtator 2014 –  Durrësi, si nyja më e madhe e transportit në Shqipëri dhe portë hyrëse në rajonin e Ballkanit perëndimor e më gjerë, ka zënë vend në diskutimet e Këshillit të Ministrave të Transportit të BE-së mbajtur në Milano.

Sipas burimeve zyrtare shqiptare, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës z. Edmond Haxhinasto mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Transportit të BE-së mbajtur në Milano në 16-17 shtator.

Ministri Haxhinasto në fjalën e tij vuri theksin në domosdoshmërinë politike,  ekonomike dhe sociale në përfshirjen në radarin e investimeve të korridorit VIII në kuptimin e plotë të tij.

Z. Haxhinasto përmendi investimet dhe projektet e Shqipërisë në funksion të këtij korridori, lidhjen rrugore me Maqedoninë, për rritjen e kapaciteteve të porteve shqiptare dhe intermodalitetin e portit të Durrësit, zhvillimit të hekurudhës përgjatë korridorit dhe sjelljen në standardet e duhura të gjithë korridorit VIII.

Gjatë punimeve z. Haxhinasto ka zhvilluar takime kokë më kokë me krerët e transportit dhe infrastrukturës së Malit të Zi dhe Maqedonisë, z Ivan Brajoviç dhe z Mile Janakieski.

Në diskutimet me Malin e Zi vend të veçantë zuri intensifikimi i përpjekjeve për materializimin e punës për projektin e përbashkët të korridorit Adriatiko-Jonian, kaq të rëndësishëm për të  gjithë bregun perëndimor të Ballkanit.

Ministri Haxhinasto në takimin me përfaqësuesin e Shkupit theksoi se trajtimi i lidhjes hekurudhore Shqipëri-Maqedoni si një e tërë është parakusht për zbatimin e suksesshëm të këtij projekti të rëndësishëm për dy vendet.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/