DURRËS 11 shkurt 2014 – Hekurudha shqiptare do të ishte fizibël nëse realizohen lidhjet e saj ndërkombëtare me vendet fqinje që nënkupton rehabilitimin e lidhjes me Malin e Zi dhe ndërtimin e lidhjes munguese me Maqedoninë, deklaroi më 10 shkurt 2014 Ministri shqiptar i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto në një takim në Tiranë. Në këtë veprimtari rajonale merrnin pjesë Ministri kosovar i Infrastrukturës Fehmi Mujota, Ministri maqedonas i Transportit dhe Komunikacionit Mile Janakieski, Ministri malazez i Transportit dhe Çështjeve Detare Ivan Brajovic, përfaqësues i BE-së Francois Beugeot dhe drejtori i përgjithshëm i SEETO-s (South East Europe Transport Observatory – “Vëzhguesi i Transportit për Evropën Juglindore”, organizatë rajonale transporti, themeluar në vitin 2004) Nenad Nikoliç.

Sipas Haxhinastos “bashkëpunimi me Bashkimin Evropian, i shërben koordinimit më të mirë të konceptimit të projekteve strategjike, të cilat kanë impakt përtej kufijve kombëtarë, ashtu si në standardizimin e infrastrukturës, veçanërisht kur kjo infrastrukturë kalon kufijtë kombëtarë”. Duke folur për ecurinë e Korridorit VIII, ministri Haxhinasto u shpreh se duhet të punohet me seriozitet në lidhje me pikëpamjen hekurudhore të Korridorit VIII. Ai kërkoi edhe mbështetjen e vendeve të rajonit, pjesëmarrëse në këtë tavolinë, që të vendoset një komisionar i veçantë pranë Bashkimit Evropian, i cili të ndihmojë për të realizuar mbështetjen e nevojshme për rritjen e vëmendjes ndaj një korridori hekurudhor.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/