·      Me sa duket, ai apo Kryeministri Edi Rama mund të kenë “ngrënë ndonjë dhëmb” nga ambasada amerikane

DURRËS, 4 shkurt 2014 – Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmon Haxhinasto tërhiqet nga deklarimet e tij lidhur me të ardhmen e porteve të Durrësit dhe Shëngjinit. Me sa duket, ai apo Kryeministri Edi Rama mund të kenë “ngrënë ndonjë dhëmb” nga ambasada amerikane. Në faqen e dikasterit të Transportit dhe Infrastrukturës, në lajmin, lidhur me vizitën e kreut Haxhinasto në portin e Durrësit më 1 shkurt 2014, tërheq vëmendjen fakti se në tekstin zyrtar janë hequr dy referime. Mungojnë premtimet për shndërrimin e portit të Durrësit në port turistik, kroçerash e jahtesh dhe ai për portin e Shëngjinit të përmasave evropiane për kontejnerë, minerale dhe mallra gjenerale, ndryshe nga sa thuhet në njoftimet e ATSH-së (shih: ata.gov.al/durres-haxhinasto-synojme-profilizimin-e-porteve-2-38043.html), Autoritetit Portual Durrës sha (shih:apdurres.com.aldhe faksimilen e faqen së dytë të njoftimit për shtyp) dhe “Dyrrah”-ut (shih: durreslajm.com/ekonomia/durres-haxhinasto-per-%E2%80%9Cdyrrahun%E2%80%9D-po-verifikojme-koncesionet-ne-port). Ja teksti (qortimi i gabimeve drejtshkrimore nga “Dyrrah”-u):

“Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës vizitoi sot [më 1 shkurt 2014] në mesditë portin e Durrësit për të parë nga afër cilësinë e shërbimeve që u ofrohen operatorëve të transportit të mallrave dhe pasagjerëve. “Është shumë e rëndësishme që t’i përmbahemi objektivit strategjik për ta bërë portin e Durrësit një nga portet e preferuara të rajonit, të rrisim cilësinë e shërbimeve që ai ofron në mënyrë që t’u shërbejmë sa më mirë pasagjerëve, ekonomisë shqiptare, por edhe operatorëve privatë”, tha Ministri gjatë vizitës në portin më të madh të vendit. Gjatë vizitës në port Haxhinasto vëzhgoi nga afër veçanërisht shërbimet që ofrojnë kompanitë e trageteve për pasagjeret, ku kërkoi që “Ky shërbim që ofrohet për qytetarët të jetë i cilësisë së lartë dhe të ketë një kosto të ulët”. “Besoj se për të ardhmen ne do t’u shërbejmë sa më mirë këtyre objektivave duke rritur konkurrueshmërinë e këtij porti, por edhe cilësinë e shërbimeve, duke rivlerësuar nëse është e nevojshme edhe kontratat e ndryshme që aktualisht ekzistojnë në dhënien e këtyre shërbimeve”, tha ai. Ministri Haxhinasto kërkoi nga kompanitë koncesionare në port që të respektojnë detyrimet kontraktues si dhe afatet e tyre të investimeve. Ai inspektoi tragetin e linjës Durrës-Bari dhe kërkoi uljen e çmimit të biletave për pasagjerët. “Interesi madhor i qeverisë është që ky të jetë një port nga më konkurruesit në rajon dhe sigurisht për këtë duhet të kemi edhe mirëkuptimin e të gjithë operatorëve që aktualisht operojnë në portin e Durrësit”, shtoi ai” (shih: transporti.gov.al/al/newsroom/lajme/ministri-kompanite-koncesionare-ne-port-te-respektojne-detyrimet-kontraktuale).

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/