Teuta, pavarësisht se krijoi shumë raste për të shënuar ndaj Bylisit, nuk arriti të dalë me tri pikë. Në një intervistë ka folur sulmuesi i Teutës, Rubin Hebaj, i cili e ka analizuar këtë takim. Shkodrani shprehet se Teuta pas një jave jo të mirë ndaj Erzenit, do të kërkojë tri pikët. Sulmuesi i bluve shprehet se në këto momente nuk duhet parë renditja, por duhen marrë ndeshjet një e nga një, pasi sipas tij, llogaritë bëhen në maj. Hebaj foli edhe për ndeshjen e radhës ndaj Erzenit, ku përveç skuadrës, edhe ai duhet të zhbllokohet dhe të kthehet te goli. Ish-sulmuesi i Partizanit e Vllaznisë, nuk shënon prej nëntë javësh, që nga ndeshja ndaj Bylisit, e përfunduar me shifrat 1-1.

Si ishte paraqitja e skuadrës nga pikëpamja juaj?

Mendoj se skuadra zhvilloi një lojë shumë të mirë dhe kërkuese deri në fund. Vrapuam të gjithë edhe për njëri-tjetrin. Më vjen shumë keq që nuk e fituam ndeshjen, pasi na mungoi goli dhe në pjesën e dytë shtuam presionin, por fatin e kishim kundër.

Si e shihni ndeshjen e radhës ndaj Erzenit?

E them gjithmonë së në këtë profesion duhet të punosh çdo ditë nga e para. Kemi shumë ndeshje dhe le t’i marrim me radhë. Erzeni është një kundërshtar, që po bën mirë dhe normalisht do të fokusohemi që të arrijmë ta fitojmë këtë ndeshje dhe të ecimpërpara.

Një trepikësh këtë javë do t’ju bënte shumë punë, si e shihni?

E dimë se është shumë e rëndësishme, sidomos pas atij barazimi në javën e kaluar. Kemi marrë një pikë në dy ndeshje e fundit dhe duhet të vijomë të punojmë fort që të arrijmë te suksesi.

Si po e përgatisni këtë ndeshje?

Si për çdo ndeshje. Kujdesemi për aspektin mbrojtës dhe atë sulmues. Normalisht që për të fituar duhen bërë gjërat e duhura. Personalisht jam gati.

Cilët janë objektivat tuaj për këtë sezoni?

Qëllimi primar është përmirësimi dhe deri më tani ia kemi dalë. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë e të fitojmë sa më shumë prej tyre. Llogaritë në fund të sezonit do të na tregojnë se çfarë kemi arritur.