Në ditën e përkujtimit të Holokaustit, kur u vranë miliona hebrenj të pafajshëm nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka shpërndarë rrëfimet e disa shtetasve hebrenj.
“Si shqiptarë e hedhim vështrimin nga historia dhe krenohemi me faktin se hebrenjtë u mirëpritën, u strehuan dhe u shpëtuan nga tragjedia prej shqiptarëve, duke fituar edhe titullin Të drejtët mes Kombeve”, shkruan Xhaçka, krahas videos, me disa nga rrëfimet e shtetasve të huaj, që falënderojnë shqiptarët për pritjen e bërë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Si një hebre amerikan, unë dua të falenderoj personalisht popullin shqiptar për atë që ju keni bërë, në emër të njerëzve hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të shpëtuar jetën e hebrenjve. Shqipëria është i vetmi vend që pati më shumë hebrenj pas Holokaustit se sa para tij dhe për këtë jemi mirënjohës”, shprehet Joel Rubin, drejtor ekzekutiv i Kongresit të Hebrenjve.
“Unë e bëra filmin, dhe pse nuk jam regjisore Holokausti, por kur dëgjova historinë për Shqipërinë dhe se sa hebrenj kanë shpëtuar shqiptarët, nuk mund të qëndroja indiferente”, thotë Yael Katzir, regjisore e filmit “Kodi i Shqiptarit”.





