28 tetor 2015 – Dy persona hedhin nga ura e lumit Devoll një bari 54-vjeçar nga Griba e Gramshit pasi u konfliktuan për delet.
Burime nga policia bëjnë me dije se i dëmtuari A.K., është konfliktuar me dy persona, për shkak se delet e tij kanë kaluar në pronën e njërit prej autorëve të krimit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 3:00 të mëngjesit të së hënës, në qytetin e Gramshit, ku bariu është përleshur fizikisht me dy agresorët dhe këta të fundit e kanë hedhur nga ura, e cila kishte një lartësi prej 5 metrash, për ta vrarë.
Fatmirësisht përplasja nuk rezultoi fatale për bariun, megjithëse mori plagë serioze në pjesë të ndryshme të trupit. Mësohet se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim shtetasin E.B., 27 vjeç, banues në Gramsh dhe ka nisur punën për identifikimin e bashkëpunëtorit tjetër.
/portali DurresLajm/