DURRES – Vidhen për t’u shitur për skrap hekurat që mbanin tabelën e vendosur tek Forumi Romak. Në tabelën në fjalë specifikohej se objekti është monument kulture i mbrojtur nga shteti, por duket se kjo nuk i ka trembur grabitësit, që i kanë shkulur ato pa u menduar gjatë. Si dëshmi e grabitjes ka mbetur vetëm tabela, e hedhur poshtë shkallëve të drunjta të hyrjes së vizitorëve, raporton gazeta Telegraf. Në tabelë shkruhet me gërma kapitale SHESH – TREGU (MACELLUM – FORUM) SHEK V-VI. MONUMENT KULTURE, MBROHET NGA SHTETI.

Edhe herë të tjera hajdutët e skrapit kishin vjedhur hekura nga fragmentet e gardhit rrethues të objektit, por asnjëherë deri tani nuk kishin guxuar të shkulnin dy shufrat e hekurta që mbanin tabelën orientuese.

Ndërkohë, veç kësaj grabitjeje, indiferenca shtetërore e treguar ndaj këtij monumenti kulture dhe mungesa e investimeve për mirëmbajtjen e saj ka bërë që në pjesën e murit anësor të objektit arkeologjik të rrëshqasin një pjesë e dherave dhe gurëve, situatë kjo që mund të përkeqësohet edhe më shumë në ditët në vazhdim.

Pas mbylljes prej mëse 1 viti e gjysëm të muzeut arkeologjik, i cili është në proces rikonstruksioni, Rotonda mbetet një nga objektet arkeologjike më të vizituara nga turistët e huaj e jo vetëm.

Rotonda, e njohur ndryshe edhe si Forumi Romak ka formë rrethore dhe në qendër të saj ndodhet një pus si dhe një bazament prej disa shkallësh në formë rrethi.

Ajo është pjesë e një kompleksi të gjerë ndërtimesh e zbukuruar me kolona mermeri dhe me dysheme të veshur me pllaka të po të të njëjtit material.